Një fat i madh vjen në dorën tonë! Nëse më parë grupi i Shqipërisë në Botëror shihej si një mallkim, tani mund të konsiderohet si një bekim për dy arsye shumë të thjeshta. Në fillim u konsiderua i tillë pasi vetëm dy vendet e para mund të vazhdojnë garën më tej dhe me një Angli të pakapshme, Serbia përfshinte shumë emocione politike dhe historike që do të nxirrte Shqipërinë nga shinat me një grup lojtarësh që na dërguan në Europian.
Por duke parë ngopjen e lojtarëve me Europianin dhe harmoninë e rënë nga më parë, fitorja në Serbi është e vetmja mundësi sesi të kthejë Shqipërinë si në kohën e saj më të mirë të kualifikueseve të Europianit. Nga ana tjetër, pavarësisht formës së dobët të Shqipërisë, forma e dobët e Serbisë po na mban në lojë deri në fund.
Në mbrëmjen e 9 shtatorit fitorja e Shqipërisë 1-0 kundër Letonisë nuk ka gëzuar askënd aq sa kur mësuan se Serbia ishte shkatërruar në Beograd nga Anglia, 0-5. Për më tepër në stadium kishin ndodhur shumë trazira të mëdha dhe flitet se FIFA do të dënojë Serbinë ashpër, madje duke shkuar deri aty aq sa ta luajë ndeshjen me Shqipërinë pa tifozë.
Por përpara se të jepet ky vendim i FIFA-s, Serbia e ka bërë lëvizjen e parë. Duke e parë se edhe me Anglinë kanë dështuar të organizojnë ndeshjen në Beograd, në frikën e një humbje ndeshje në tavolinë me Shqipërinë në Beograd, nga mos kontrolli i turmës së tifozëve, Serbia ka kërkuar që ndeshjen me Shqipërinë ta zhvillojë në Leskovac.
Arsyeja është fakti se në këtë stadium kapaciteti është vetëm 8000 vënde dhe huliganët mbeten jashtë këtij takimi me Shqipërinë. Megjithatë këtu sërish Serbia bie në dorën e Shqipërisë dhe kjo është një fitore e vogël për Shqipërinë përpara se të fillojë ndeshja. Media serbe, Sport Klub, shpjegon sesi funksionon mekanizmi për të ndryshuar stadiumin nga Beogradi në Leskovac. Nuk është fare e lehtë pasi vendimin e fundit do ta marrë Shqipëria dhe jo Serbia.
Pra sipas rregullave, UEFA e lejon ndryshimin e stadiumit, me kusht që përfaqësuesit e të dyja vendeve të bien dakort. Pavarësisht se këto ndeshje zhvillohen për të shkuar në Botëror, FIFA nuk ka asnjë ndikim në këtë rast, por UEFA. Ndërkohë UEFA do të kërkojë konfirmimin e Shqipërisë se ku dëshiron të luhet kjo ndeshje.
Nëse Shqipëria refuzon idenë e Leskovacit, atëherë kjo ndeshje do të zhvillohet në Beograd. Nëse Shqipëria pranon stadiumin e Leskovacit, atëherë kjo ndeshje nuk do të zhvillohet në Beograd. Sipas burimeve në UEFA, media serbe tregon se për momentin pala e Shqipërisë, pra Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka reaguar ende dhe nuk e ka një deklarim nëse e konfirmon apo refuzon stadiumin e Leskovacit.
Arsyeja kryesore është fakti se në këto ditë pritet që të jepte vendimi i FIFA-s nëse do ta mbyll stadiumin për tifozët për ndeshjen Serbi-Shqipëri apo do t’i lejojë ata. Nëse FIFA nuk do të marrë një masë kaq të rëndë, atëherë Shqipëria do të vendos përfundimisht stadiumin mes Beogradit dhe Leskovacit se ku dëshiron të luajë. Një zgjedhje e vështirë dhe një dilemë e madhe pasi Beogradi garanton një atmosfertë të flaktë në Rajko Mitic mes 50.000 tifozëve, aty ku humbja në tavolinë për serbët ka më shumë gjasa që të ndodh, por presioni mbi lojtarët tanë do të jetë i jashtëzakonshëm, ndërsa nga krahu tjetër është Leskovaci me 8000 tifozë, atje ku presioni i stadiumit mbi lojtarët tanë është fare i vogël, normal, por ndeshja do të mbyllet brenda fushës së blertë. /Sport Ekspres/