Presidenti Duka pret në takim CEO-n e kompanisë Macron, Gianluca Pavanello

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti në një takim CEO-n e kompanisë Macron, Gianluca Pavanello, sponsor teknik i Kombëtares shqiptare.

Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin mes FSHF-së dhe Macron, si edhe mbi historikun e marrëdhënieve shumë të mira ndër vite mes dy palëve. Presidenti Duka vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Macron për Kombëtaren shqiptare dhe rolin e rëndësishëm që ky partneritet ka pasur në forcimin e identitetit dhe imazhit të skuadrave tona kombëtare.

Nga ana e tij, Gianluca Pavanello shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me FSHF-në, duke nënvizuar rritjen e vazhdueshme të futbollit shqiptar dhe sukseset e arritura në vitet e fundit, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në organizimin e eventeve ndërkombëtare.

Pas takimit zyrtar, CEO i Macron zhvilloi edhe një vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u njoh nga afër me një nga investimet më të mëdha të futbollit shqiptar dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit si edhe vizitoi ambientet e FSHF TV.

Gjatë vizitës, ai u informua mbi funksionimin e këtij kompleksi modern, që shërben si zemra administrative dhe organizative e futbollit shqiptar, si edhe mbi rolin e saj në zhvillimin e projekteve strategjike të FSHF-së.