Presidenti i Federatës Serbe ndez alarmin: FIFA na përjashton për shumë vite po gabuam me Shqipërinë

Ambienti në Serbi nuk është aspak i mirë para ndeshjes me Shqipërinë. Ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, Serbia rrezikon një përjashtim të madh nëse do të përsëritet një skandal në ndeshjen me Shqipërinë. Kjo ishte arsyeja se pse Serbia e dërgoi ndeshjen në Leskovac dhe përse nuk i nxori biletat në shitje, por do t’ia shpërndajë komunitetit të sportit nëpërmjet ftesave. Ky ishte lajm i publikuar disa ditë më parë prej nesh dhe i pranuar tani zyrtarisht nga presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Dragan Dzajic.

Dzajic ka thënë se Serbia do të përjashtohet për shumë kohë nëse ndodh një skandal në ndeshjen me Shqipërinë si ndodhi në Beograd në vitin 2014. “Ne kemi bërë gjithçka dhe po përpiqemi që të parandalojmë dicka të tillë, që të ndodh përsëri. E kemi marrë shumë seriozisht, do të ishte katastrofë nëse ndodhte prapë. Mendoj se do të përjashtoheshim nga futbolli për shumë kohë. Prandaj e cuam ndeshjen në Leskovac dhe zvogëluam kapacitetin e stadiumit, kjo është një situatë e jashtëzakonshme për ne”, tha presidenti i Federatës Serbe të Futbollit.
Ndërkohë sipas lajmit të dalë, nëse një skandal do të ndodhte, Serbia do të përjashtohet për dy vite nga futbolli, duke e dërguar Shqipërinë menjëherë në vendin e dytë në kualifikueset e Botërorit. Ajo që në Serbi i frikësohen më së shumti duke ditur këtë situatë të jashtëzakonshme është sjellja e lojtarëve të Shqipërisë.

Pra ata kanë frikë se lojtarët tanë mund të provokojnë tifozët e Serbisë dhe situata aty mund të shpërthejë, pavarësisht faktit se në tribuna do të jenë pjesëtarët e komunitetit të sportit dhe jo tifozët e thjeshtë. Presidenti i Serbisë ka folur edhe në lidhje me këtë temë duke pranuar frikën: “Nuk e besoj se lojtarët e Shqipërisë do të provokojnë. Gjithsesi, edhe ne kemi eksperiencë, besoj se do të përgjigjemi me profesionalizëm nëse ndodhin gjëra të tilla”.

Nga ana tjetër, Dzajic kërkon që Serbia të mos e nënvlerësojë Shqipërinë në aspektin e futbollit duke përmendur cilësitë e ekipit tonë. “Shqiptarët janë të mirë,pavarësisht se cfarë mendojnë këtu për ta. Janë një ekip i bashkuar, askush nuk duhet t’i nënvlerësojë. Kanë marrë rezultate të mira në vitet e fundit, kanë lojtarë të mirë. E përfaqësojnë mirë vendin e tyre dhe unë e di se do të bëjnë gjithçka për të bërë vendin e tyrë të lumtur, prandaj ne duhet të jemi gati dhe të fitojmë”, tha presidenti i Serbisë. /Sport Ekspres/