Barcelona mbrëmë arriti të fitojë Kupën e Mbretit për herë të 32-të në histori, duke mposhtur Real Madridin 3-2 pas kohës shtesë. Ndeshja finale u luajt në stadiumin Cartuja të Seviljes dhe përveç futbollit të shkëlqyer, ishte e pamundur të mos shihje shkëndija në fushë.
Në qendër të vëmendjes është Antonio Rudiger, i cili mori kartonin e kuq direkt në minutën e 120-të pasi u çmend në pankinë pas vendimit të arbitrit, madje hodhi një top akulli drejt arbitrit të kësaj ndeshjeje. Lojtari gjerman u përjashtua me të drejtë dhe shokët e ekipit mezi arritën ta qetësonin. Është e sigurt se ai do të përballet me një dënim të rëndë që do të shpallet në ditët në vijim.
Mediat spanjolle shkruajnë se sezoni i Rudigerit mund të përfundojë, pasi ai ka të ngjarë të marrë një pezullim nga katër deri në 12 ndeshje dhe nuk e ndihmon as raporti i arbitrit, i cili nuk e kurseu lojtarin e Real Madridit. Pas gjithçkaje, mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale u deklarua edhe Rudiger që kërkoi falje për sjelljen e mbrëmshme.
“Padyshim që nuk ka asnjë justifikim për sjelljen time mbrëmë. Më vjen shumë keq për këtë. Bëmë një lojë shumë të mirë nga pjesa e dytë dhe pas 111 minutash nuk arrita të ndihmoja më ekipin tim në fushë. Para përfundimit të lojës bëra një gabim të madh. E theksoj sërish se i kërkoj falje arbitrit dhe të gjithëve që zhgënjeva mbrëmë”, tha Rudiger. /Sport Ekspres/