Projekti “Talent & Mentor”/ Nis edicioni i tretë, për herë të parë marrin pjesë 4 asistentë

Ka nisur edicioni i tretë i projektit “Talent & Mentor”, i organizuar nga Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ky projekt i rëndësishëm, që zhvillohet në një cikël dy-vjeçar, ka për qëllim rritjen e cilësisë së arbitrave-talentë, krijimin e personalitetit të arbitrit, promovimin e arbitrave në elitë si edhe përmirësimin e performancës së tyre.

Këtë sezon janë përzgjedhur pesë arbitra-talentë: Gerard Çokaj, Enis Dishani, Orgest Bala, Olgert Nuhi dhe Engli Menkshi. Gjithashtu, ky sezon sjell një risi, pasi për herë të parë në këtë program marrin pjesë edhe 4 asistentë: Aurrel Topi, Edjena Kapxhiu, Endri Mehmetaj dhe Xhuljan Rroshi. Ata do të jenë nën monitorimin e dy asistentëve aktivë të kategorisë FIFA.

Mentorët e arbitrave janë emra të njohur të arbitrimit, të cilët do të japin kontributin e tyre për zbatimin e suksesshëm të këtij projekti.

Gjatë periudhës së programit, pjesëmarrësit marrin pjesë në seminare praktike dhe teorike të dizenjuara posaçërisht, duke përfituar mbështetje dhe udhëzime të vazhdueshme nga mentorët e tyre.

Si para ashtu edhe gjatë programit, pjesëmarrësit përcaktojnë objektiva specifike, të matshme, të arritshme dhe të kufizuara në kohë për një periudhë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Këto objektiva rishikohen dhe vlerësohen rregullisht nga ekspertët e përzgjedhur.