Karlo Ançeloti e ka lënë mënjanë diplomacinë. Trajneri i Realit të Madridit është treguar mjaft i sinqertë pas fitores minimale 1-0 kundër Getafes. Ançeloti nuk i ka kursyer kritikat për Endrikun. Ky i fundit provoi një parabël kur ishte një për një me portierin, çka në fund rezultoi vetëm një mundësi e shpërdoruar. Trajneri italian nuk e ka pëlqyer veprimin e sulmuesit të tij, teksa ka thënë në konferencë për shtyp se Endriku duhet të mësojë që të mos bëjë teatër në fushën e lojës, por të gjuajë sa më fort.
“Endriku pati dy raste të mira. Në rastin e parë nuk mund të bënte më mirë. Në të dytin mund të ishte edhe pozicion jashtë loje. Por nuk mund t’i bëjë këto gjëra. Është i ri dhe duhet të mësojë. Duhet të gjuajë sa më fortë, jo të bëjë teatër. Teatri nuk ekziston në futboll”, ka deklaruar Karlo Ançeloti./Sport Ekspres/