Marko Silva është paraqitur sot në konferencë për shtyp përpara ndeshjes kundër Shefildit, e cila luhet të shtunën duke nisur nga ora 16:00. Trajneri i Fullhemit është pyetur nëse Munizi ndjen presion mbi supe për shkak të formës që po kalon. Silva është përgjigjur se lojtari i tij nuk ka arsye të ndjejë presion. Kjo për faktin se gjendet në një situatë kur po shënon vazhdimisht dhe ka besimin e palëkundur të shokëve të skuadrës.
“Presioni është privilegj në situatën e Rodrigos (Munizit). Është në një situatë shumë më të mirë se sa 3 muaj më parë. Përse duhet të ndjejë kaq shumë presion tani?! Ishte më keq 3 muaj më parë, kur ishte në stol dhe po luftonte shumë fort për të pasur një mundësi për të shënuar. Tani ai po luan shumë, shumë mirë. Po përmirësohet, po punon shumë gjithashtu, po shënon gola. Përse duhet të ndjejë më shumë presion tani? Mbrojtësit janë më të vëmendshëm ndaj tij, e ndjejnë si një kërcënim në vijën tonë të sulmit. Fantastike për një sulmues. Edhe shokët e skuadrës besojnë se mund të zgjidhë ndeshjen për ne. Mund të jetë një lojtar vendimtar, një ndjesi fantastike për të”, ka thënë Marko Silva./Halit Delibashi-Sport Ekspres/