Ramadani ka vrapuar më tepër se të gjithë në Serinë A, trajneri: Do ta çojmë në maratonë

Ylber Ramadani është lojtari që ka përshkuar më shumë kilometra në Serinë A deri më tani, plot 115.9 të tilla. Një statistikë pëe t’u duartrokitur, e cila ka marrë edhe vlerësimet e trajnerit. Di Françesko nuk i ka kursyer batutat, teksa u ka thënë gazetarëve se do ta dërgojnë Ramadanin në maratonë. Trajneri i Leçes ka nënvijëzuar faktin se lojtari shqiptar nuk ka vrapuar vetëm në sasi, por edhe me inteligjencë taktike.

“Do ta dërgojmë në maratonë (qesh), cila është e radhës? Nuk është vetëm sasia, besoj se ai ka pikërisht këto karakteristika të një vrapuesi maratonash në lojë. Nuk është vetëm sasia, është edhe cilësia e vrapimit të tij që bën diferencën. Kur lexon edhe numrat, të cilët vlejnë edhe për pasimet e suksesshme, duhet të dish si t’i interpretosh ato. Nëse unë i marr 99% të pasimeve saktë, por gjithmonë ia jap lojtarit më të afërt, sipas mendimit tim kjo është shumë e lehtë. Për këtë, duhet t’i diversifikojmë pak gjërat, duke i lidhur ato edhe me aspektin e vrapimit. Dhe Rama, duhet të them, po e bën këtë me vetëdije dhe inteligjencë taktike. Ja ku jemi, kjo është gjëja pozitive.

Ne duhet të përmirësojmë aftësitë tona në pasime dhe vrapim, dhe kemi potencialin dhe forcën për ta bërë këtë. Duke u kthyer te Ramadani, përtej vrapimit të tij, ai tregon gatishmëri të madhe për të ndihmuar shokët e ekipit gjatë lojës, dhe nuk duhet ta lejojë këtë të na ikë. Kur punon me përulësi, por me vetëdije për aftësitë e tua, këto gjëra gjithmonë do të japin fryte dhe do t’i sjellin dobi ekipit”, ka deklaruar Euzebio Di Françesko./Sport Ekspres/