Mbrëmjen e nesërme Guardiolën e pret një detyrë e vështirë, por jo e pamundur. Mançester Siti ka të paktën 90 minuta kohë për të përmbysur humbjen 3-0 të një jave më parë. Guardiola është paraqitur në konferencë për shtyp në prag të kësaj sfide, ku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Trajneri katalanas është shprehur se skuadra e tij duhet të zhvillojë në ndeshje të përkryer në mënyrë që të sigurojë kalimin në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, një eleminim i mundshëm nuk do të cilësohej si një dështim për të. Guardiola ka argumentuar me faktin se në futboll përjetohen më tepër humbje se sa fitore. Kreu i pankinës së Sitit ka sjellë si shembull vetë ekipin kundërshtar, i cili numëron 15 trofe të fituar në Ligën e Kampionëve, por ka marrë pjesë në 100 kompeticione të tilla.
“Do të jetë një ndeshje e përsosur në shumë aspekte. Duhet të provojmë dhe të provojmë sërish. Ne mund të krijojmë gjithmonë raste. E njohim njëri-tjetrin mjaft mirë. Duhet të jemi klinikë dhe të mbrojmë mirë.
A do të ishte dështim eleminimi? Gjëja më e rëndësishme është që të mos e mendojmë si dështim. Në sport mund t’i bësh gjërat mirë, mund të përmirësohesh dhe të përpiqesh sërish në sezonin e ardhshëm. E gjitha vjen nga puna e palodhur, përkushtimi dhe dashuria për sportin. Nuk ka skuadër në botë që fiton çdo sezon.
Në sport humbet më shumë se sa fiton. Reali i Madridit ka fituar 15 Liga Kampionesh, por kanë marrë pjesë në 100 të tilla. A është ky një dështim? Ata kanë humbur më tepër se sa kanë fituar”, ka deklaruar Pep Guardiola./Sport Ekspres/