“Rei Manaj është më i mirë se Broja në qendër”! Redi Jupi dhe Fakaj komentojnë sulmuesin: Ka luajtur në krahë deri para dy vitesh

Redi Jupi dhe Ervin Fakaj kanë folur sa i përket situatës së Armando Brojës në Kombëtare. Të ftuar në “Procesi Sportiv”, Fakaj ka treguar impaktin e parë me Brojën. “Kur e kam parë Brojën për herë të parë ishte te grupmosha e Shqipërisë, U-19. Ndoshta nuk e dini, por ai ka luajtur pikërisht në rolin që është sot te Shqipëria, në krahë të djathtë. Ka bërë po këtë rol si sot, pra nuk është pozicioni. Në rregull, pozicioni në fushë mund të uli pak më shumë nga ritmi jot, por shumë pak, jo deri këtu. Nuk është i qetë psikologjikisht dhe fizikisht jo mirë si dikur. Kur e kam parë për herë të parë unë thashë Chelsea është ekipi më i pakët që mund të kapi ai lojtar”, tha Fakaj.

Nga ana tjetër, Redi Jupi ka komentuar dhe vendimin teknik për zgjedhjen e Manajt para Brojës në qendër. “Tifozët e duan, mbështetjën e ka maksimale Broja. Deri para dy vitesh aty ka luajtur, në krahë të djathtë. Ka aftësinë për të bërë lëvizje që të tjerët nuk i bëjnë dot, prandaj ka dashurinë e tifozëve. Por ka një gjë, trajneri do rezultatet maksimale, jo të promovoj lojtar, prandaj edhe Zhegrova është në stol te Kosova. Për mua dhe për Silvinjon, Manaj është më mirë se Broja në qendër. është më mirë sepse Manaj, nuk e di e vutë re kundër Andorrës, Manaj kërkon të mbyll cdo aksion me gjuajtje në portë. Ndërsa Broja është tip lojtari tjetër, kërkon të bëjë një driblim më shumë, kërkon të jap asist, të bëj edhe ndonjë shpërthim tjetër, pra nuk e mbyll aksionin me goditje direkte në portë. Por me lojën që kemi ne, me mesfushorët që kemi ne, nëse nuk e mbyllim aksionin me goditje në portë, është problem”, tha Jupi. /Sport Ekspres/