Rigjenerim brezash të Gjermania, jep dorëheqjen edhe kapiteni: Krenari që e bëra kombin krenar sërish, nuk do të na ndalë asgjë në Botërorin 2026

Gjermani po kalon një periudhë rigjenerimi brezash. Rrugën e Toni Krosit dhe të Tomas Mylerit e ka ndjekur së fundmi edhe Ilkai Gyndogani. Kapiteni ka dhënë dorëheqjen nga ekipi kombëtar. Mesfushori i Barcelonës ka njoftuar opinionin sportiv përmes llogarisë së tij zyrtare në “Twitter” se ka vendosur të mos grumbullohet më në ndeshjet e Kombëtares gjermane. Lojtari 34-vjeçar ka falenderuar të gjithë ata që e kanë shoqëruar në karrierën e tij me “pancerat”, por fiziku i ka thënë të ndalojë.

“Të dashur sportdashës gjermanë, pas disa javësh reflektim, kam arritur në konkluzionin se është koha për përfunduar karrierën time më ekipin kombëtar. Shoh pas me krenari të madhe 82 ndeshjet ndërkombëtare për vendlindjen time. Një numër që nuk do ta kisha ëndërruar kurrë kur bëra debutimin tim për ekipin kombëtar të të rriturve në 2011-n. Momenti im më i bukur ishte qartësisht nderi i madh i të pasurit të mundësisë për të udhëhequr ekipin si kapiten në Kampionatin Europian që u luajt në shtëpinë tonë këtë verë. Pas të gjithë viteve të mëparshëm, ne më në fund ia dolëm ta bënim kombin krenar përsëri. Fakti që unë kisha mundësinë të luaja një pjesë në këtë më bën shumë të lumtur.

Por edhe përpara turneut, ndjeva një lodhje në trupin tim dhe gjithashtu në mendje, çka më bëri të mendoja. Ndeshjet në nivel klubesh dhe Kombëtaresh nuk po pakësohen aspak. Unë padyshim që do të vazhdoj të jem një tifozë i kësaj skuadreje kombëtare dhe shpresoj shumë që të vazhdojmë trendin tonë të rritjes së bashku dhe nuk ka asgjë që të na ndalë nga të qenurit një nga pretendentët kryesorë të titullin në Kupën e Botës 2026. Kemi një trajner fantastik, një ekip vërtetë të fortë dhe një shpirt të shkëlqyer grupi. Faleminderit të gjithë tifozëve, stafit, trajnerëve dhe shokëve të skuadrës, që më kanë shoqëruar në këtë rrugëtim. Ishte një nder! Faleminderit Gjermani! I juaji, Ilkai”, ka shkruar Ilkai Gyndogani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/