Armiku më i madh i shqiptarëve është vetë…shqiptari. Në çdo fushë të jetës, ashtu edhe në futboll, shqiptarët dinë të bëjnë shumë gjëra më së miri, por kurrsesi të bashkohen me njëri-tjetrin. Jemi shumë pak krahasimisht me popujt e tjerë rreth e rrotull, por furnizojmë pafund Kombëtare në Europë dhe në botë me lojtarë. Raste si të Granit Xhakës dhe të Xherdan Shaqirit që luajtën me Zvicrën nuk janë asgjë përpara Liridon Krasniqit, sulmuesit që zgjodhi që përfaqësonte Malajzinë si Kombëtare. Ndërkohë tifozët shqiptarë mund të shijojnë ambasadorët tanë në Zvicër, në Gjermani dhe deri në Malajzi.
Një tjetër ambasador i shtohet listës, këtë herë në Irlandë. Djali i Rudi Vatës, Roko Vata, ka zgjedhur që të luajë përfundimisht me Irlandën. Në rrjetet sociale ka qarkulluar një foto shihet Roko Vata me fanellën e Irlandës dhe ka një mbishkrim, thirrja e parë, duke lënë të nënkuptuar ftesën e Kombëtares A. Ky lajm ka bërë xhiron e mediave shqiptare sot duke njoftuar se djali i legjendës Rudi Vata, ka zgjedhur përfundimisht që të luajë me Irlandën dhe t’i mbyll dyert Shqipërisë. Në fakt kjo fotografi nuk është postuar nga faqja zyrtare e Federatës Irlandeze e Futbollit dhe as nga ndonjë media sportive në Irlandë.
Nuk ka asnjë konfirmim apo shkrim në këtë vend që tregon se Roko Vata do të bëjë debutimin zyrtar me ta në ndeshjet e marsit. Megjithatë edhe pse mungon zyrtarisht, rruga është marrë dhe mund të thuhet se Roko nuk do të jetë pjesë e Shqipërisë. Aktualisht ky futbollist është pjesë e Ëatfordit, atje ku ka realizuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asist në 22 takime. Koha flet e gjitha në favorin e tij pasi është vetëm 19-vjeç dhe pritet që në të ardhmen të ketë një karrierë të ndritur.
Sa i përket Kombëtares, Vata ka luajtur gjithë kohën vetëm me ngjyrat e Irlandës. Nëse babai i tij, Rudi, ishte pjesë e Shqipërisë, mamaja e tij është nga Skocia dhe gjyshja nga ana e mamasë është nga Irlanda. Mesa duket Roko do të zgjedh që të përfaqësojë anën e mamasë, atë që ndien më shumë. Për të arritur deri në këto përfundime ndoshta jemi ende herët për sa kohë mungon një konfirmim zyrtar, por edhe nëse do të mungonte në ndeshjet e marsit, kalimi i tij te Irlanda do të ishte vetëm çështje kohe. Rrugët e Roko Vatës dhe Shqipërisë janë larg dhe ndoshta është më mirë që të ndodh kështu. /Sport Ekpres/