Interi ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme në kampionat. Zikatrit përmbysën Romën nga 2-1 në 2-4, duke siguruar kështu një shkëputje prej 7 pikësh në krye të Serisë A. Alesandro Bastoni ka folur për mediat pas ndeshjes, ku është treguar i sinqertë me analizimin e ndeshjes. Mbrojtësi i Interit është shprehur se loja e zhvilluar nga zikatrit në pjesën e parë ishte për të mos u parë, por në fraksionin e dytë të lojës ndryshimi i mentalitetit i dërgoi te fitorja.
“Pjesa e parë e ndërlikuar? Jo, ç’e ndërlikuar. Pjesa e parë nuk shihej dot, nuk ishim ne. Roma na hëngri në pjesën e parë, është e vërteta. Folëm në fund të pjesës së parë dhe thamë që të ishim vetvetja. E bëmë të dukej këtë gjë. Ndeshjet fitohen mendërisht. Roma na kishte ngrënë në pjesën e parë. Ndryshuam mendërisht në pjesën e dytë. E dinim se sa e rëndësishme ishte kjo ndeshje. Fitore thelbësore, të jep adrenalinë për të gjithë javën. Jemi të karikuar”, ka deklaruar Alesandro Bastoni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/