Në javën e ardhshme të Superiores, e gjithë vëmendja do të jetë te derbi Partizani-Tirana. Një derbi që vjen në kohën e gabuar, ndryshe nga më parë. Zakonisht jemi mësuar që të dyja ekipet të luftojnë mes vendeve të para të klasifikimit.
Më vonë jemi mësuar me rastet kur njëri ekip luftonte për vendet e para të klasifikimit dhe tjetri vuante në renditje duke u endur mes mbijetesës dhe mesit të pashpresë të tabelës, por derbi ishte aty për ta ndezur gjithmonë takimin.
Një derbi vlen sa një kampionat! Ishte një ngushëllim për ekipin që nuk ndodhej në pozitë të mirë, që të rikthente anën psikologjike. Por këtë herë vijmë në momentin ku të dyja ekipet të ndodhen në vendet e fundit të kampionatit, Partizani në vendin e 8 dhe Tirana në vendin e 10. Po, është vetëm java e 5 e kampionatit, por është edhe një tregues që në futboll nuk fiton vetëm fanella. /Sport Ekspres/