Serbia dhe Shqipëria janë në të njëjtin grup në kualifikueset e Botërorit. Megjithatë serbët nuk do të kenë me vete tifozët në ndeshjen e Tiranës. Serbia u dënua për sjelljen e tifozëve kundër Zvicrës në Ligën e Kombeve, atje ku UEFA vendosi një gjobë financiare prej 170 mijë eurove, mbylli pjesërisht tribunat për dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi dhe njëkohësisht i ndaloi udhëtimin e tifozëve për dy ndeshjet në transfertë.
Në fillim Serbia do të luajë kundër Austrisë në Vjenë dhe në Beograd, sa i përket play off në Ligën e Kombeve. Më pas ndeshja e parë e Serbisë në kualifikueset e Botërorit do të jetë kundër kuqezinjëve në transfertë. Serbia ka apeluar dënimin e UEFA-s duke kërkuar që të ketë tifozët në Tiranë dhe dënimi të kishte një ulje të ndëshkimit, megjithatë UEFA ka reaguar negativisht duke konfirmuar se serbët nuk do të udhëtojnë në Shqipëri. /Sport Ekspres/