Serbia mund thellë Shqipërinë në basketboll, rezultati 116-22 nuk lë vend për diskutime

“O sa mirë me qenë shqiptar”! Në futboll, kjo shprehje gjen vendin e saj, por në sportet e tjera, ndjenja e krenarisë fillon të humbas nga pak. Përshembull, dje vajzat e Shqipërisë të ekipit U-20 u përballën kundër Serbisë.

Shqipëri-Serbi, derbi i Ballkanit, por këtë herë u luajt për grupmoshat e basketbollit në Divizionin B të Eurobasket 2025. Por përtej rivalitetit të madh jashtë fushe mes dy vendeve, brenda fushe, nuk kishte aspak rivalitet.

Përkundrazi, Shqipëria kishte ngritur flamurin e bardhë pa nisur ndeshja. Në fund, rezultati ishte poshtërues, Serbia fiton kundër Shqipërisë në shifrat 116-22. Një dështim i madh i sporteve të tjera vazhdon në vendin tonë, përkundër gjithë financimeve të rritura të Qeverisë Shqiptare për KOKSH.

Dështimi vazhdon vit pas viti, por këtë herë merr një vëmendje tjetër pasi ishte kundër Serbisë një rezultat i tillë që nuk gjen asnjë shpjegim duke konfirmuar edhe njëherë tjetër se jemi vite dritë larg në sport me vendet e tjera afër nesh, përkundër futbollit, që zbut gjithë hendekun. /Sport Ekspres/