“Serbia, oh mos jo prapë”! Rrëfimi i Berat Gjimshitit për Kombëtaren, i tregon të gjitha: Babai patriot më ka shtyrë te Shqipëria

Berat Gjimshiti është njeriu që ka rrëmbyer zemrat e shqiptarëve dhe tani edhe shiritin e kapitenit te Kombëtarja. Është njeriu që mbeti jashtë Europianit të Francës, padrejtësisht, teksa De Biazi i tha se nuk do të udhëtonte me skuadrën. Ai mund të ishte Europiani i fundit dhe i mohuar në jetë, por për fatin e mirë, Gjimshiti mori shiritin dhe e dërgoi Shqipërinë në Europianin e Gjermanisë.

Por jo vetëm kaq, Gjimshiti është një prej lojtarëve të pakët që luajnë si titullar në nivelet më të larta dhe është po i pagabueshëm te Shqipëria, teksa këtë e dëshmoi më së miri edhe në ndeshjen me Anglinë. Gjimshiti i ka intervistat e rralla, disa kohë më parë ka dalë në emisionin Koha Shtesë dhe tani në një tjetër Podkast me Heidi Lushtakun, në Biseda Podcast. Një rrëfim i gjatë i kampionit tonë që mbi të gjitha është një njeriu shembull me përulësinë e tij që është dëshmia më e mirë se përse ky sukses që ka nuk është rastësor, por e gjen në sjelljen e Berat Gjimshitit.

“Kur ishte diskutimi për të zgjedhur mes Shqipërisë dhe Zvicrës, unë zgjodha Shqipërinë. Kur më erdhi ftesa nga Shqipëria pasi kisha luajtur me të gjitha moshat e Zvicrës, babai më shtyu drejt Shqipërisë. Është patriot, si të gjithë të tjerët. Nuk kërkova shumë kohë dhe menjëherë zgjodha Shqipërinë.

De Biazi më thirri, erdha te Kombëtarja. Ngela jashtë Europianit, nuk ka problem, mesazhet e shumta të shqiptarëve ishin të rëndësishme për karrierën time në atë moment dhe u tregova se bënë gabim në atë rast. Gjithsesi ajo mërzitja e madhe ishte 1-2 javë dhe kaloi pastaj.

Kur ra shorti tani me Serbinë, thashë: “Oh jo, mos prapë”. Nuk isha i kënaqur për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në të kaluarën, por besoj dhe shpresoj se këtë herë nuk do të ndodh gjë dhe se do të merremi vetëm me një ndeshje sportive.

Gruaja serbe? Është lindur në Zvicër, si edhe unë. Jemi takuar atje nga miqtë e përbashkët. Në fillim ishte shoqëri dhe pastaj u zhvillua në dashuri. Ishte një dashuri e ndaluar, por unë më shumë kisha merak për prindërit e mi se ne cdo gjë e bëjmë për ta. Ishte frika e madhe e familjes dhe tani tema shqiptar-serb nuk ka vend më për ne, jemi familje e madhe.

Mendojmë vetëm për dashurinë tonë dhe familjen, ajo ka rëndësi. Familja ime nuk pranoi menjëherë, mendoi se ishte diçka kaluese dhe jo serioze, por pasi kaluan muaj dhe i thashë se ishte diçka serioze kjo lidhje, e pranuan lidhjen si është. Unë mendoj se në dashuri nuk ka vend për pengesa, i përballuam të gjitha. Ka pasur komente negative, më kanë lënduar kur isha më i ri dhe i shikoja, tani jam forcuar dhe nuk më ndikojnë shumë komentet që bëjnë njërëzit për mua dhe gruan time.

Frika ime më e madhe? Kur të vij momenti të iki nga futbolli, është cështje psikologjike, po filloj ta stërvis veten që tani me këtë mendim. Unë e kam ende zjarrin brenda, të jetë për mua, e lë futbollin 40-vjec. Tani të shohim sesi do të më ecin dëmtimi dhe nëse do të më lejojë fiziku, por për mua, qëndroj në futboll deri në 40 vjec. Në të ardhmen dua të bëhem trajner futbolli, ky është qëllimi im, ndoshta jo menjëherë sapo të lë futbollin, por dua të bëhem trajner”, tha Gjimshiti. /Sport Ekspres/