Ernest Muçi i dha fitoren Trabzonsporit kundër Kocaelisporit. Goli i tij në minutën e 90 vendosi fatin e takimit dhe i dha 3 pikët kuqebluve. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “BeIn Sports”, sulmuesi shqiptar është shprehur se e priste atë mundësi shënimi dhe e shfrytëzoi në maksimum në momentin që erdhi.
“Ishte një nga ndeshjet më të vështira të sezonit. Ne i meritonim 3 pikët. Të shënosh një gol është sigurisht shumë e bukur dhe e mrekullueshme. Kur lufton si ekip, goli vjen pas. Gjëja më e rëndësishme është të jesh në gjendje ta ndihmosh ekipin.
Ndjeva se ajo mundësi do të vinte. Dhe kur erdhi, e dija se do ta shfrytëzoja sa më shumë. Kundërshtari ynë nuk ishte thjesht një ekip që priste në mbrojtje. Ata luajtën për të fituar deri në fund. Si lojtar sulmues, përpiqesh të japësh më të mirën kur të lind mundësia, dhe kjo është ajo që bëra unë”, ka thënë Ernest Muçi./Sport Ekspres/