Borusia e Dortmundit ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Ligën e Kampionëve, duke mbërritur deri në finale të këtij kompeticioni. Hera e fundit që diçka e tillë ndodhte i përket vitit 2013, kur në krye të pankinës ishte Jyrgen Klopi. Klubi gjerman njihet për tifozerinë e tij të zjarrtë, e cila dëshiron të jetë e pranishme në shkallët e “Uemblit”. Klubi Borusia Dortmund ka bërë të ditur përmes faqes së vetë zyrtare në internet se ka pasur plot 400 mijë kërkesa për një biletë në finalen e Ligës së Kampionëve nga tifozët verdhezi.
“Borusia e Dortmundit do të dalë në fushë në stadiumin “Uembli” për finalen e Ligës së Kampionëve kundër Realit të Madridit të shtunën, në 01.06.2024. Me rreth 400 mijë kërkesa për bileta, ne jemi të tronditur nga mbështetja e treguar nga anëtarët tanë, mbajtësit e biletave sezonale dhe tifo-grupet. Meqenëse Borusia e Dortmundit ka në dispozicion vetëm një kontigjent prej 25 mijë biletash, për fat të keq shumica e kërkesave nuk mund të merren parasysh”, ka njoftuar klubi gjerman.
Një interesim i tillë të sjell në kujtes përballjen e Kombëtares shqiptare kundër Republikës Çeke në muajin tetor. Asokohe, 300 mijë tifozë kërkonin të ishin në stadium për të përkrahur nga afër kuqezinjtë. Ndërkohë, sa i përket kampit madrilen, “AS” bën me dije se deri më tani ka pasur vetëm 60 mijë tifozë që duan të jenë në “Uembli” për të mbështetur Realin e Madridit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/