“Shikojeni pak, Manaj e ka mbajtur kokën ulur te penalltia”, Dervishi: Silvinjo po na çudit fare tani, herën tjetër gjuan Gjimshiti ose Ramadani 

Armando Broja i ka dhënë një mbrëmje të keqe Pavlovic. Mbrojtësi i Milanit vuajti shumë me shkëputjet dhe mënyrën e lojës së Brojës, i cili u shkëput në dy tre momente duke ngritur në këmbë gjithë tifozët. I ftuar në Koha Shtesë, Dritan Dervishi, zyrtari i Veronës, nuk i ka kursyer elozhet për Brojën. (Emisionin e plot e ndiqni më poshtë) 

“Armando Broja është i vetmi talent që ka Kombëtarja në sulm. Mos të diskutojmë më tutje, nuk ke se çfarë diskuton. Broja dje luajti në një krahë që nuk ka se çfarë i duhet, nuk duhet të rrijë Broja aty në krahë të majtë. E degjeneroi Pavlovicin? Broja edhe Baresin apo Maldinin e artë të kishte, në një moment do t’i shkëputej, jo më Pavlovicin e Milanit. Ka një fuqi fizike dhe një sprint të shpejtë, një shkëputje të madhe. Ka fizik, 1.90 djalë që të fsheh topin dhe tallet me ty. Pastaj dëgjojmë që Broja ishte i lodhur, por nuk duhet futur Broja në krahun e majtë”, tha Dervishi.  

Pas ndeshjes, Silvinjo u shpreh se mbante shënime për penalltitë pas cdo seance stërvitore dhe në cdo ndeshje, zgjidhte një ekzekutues ndryshe të penalltisë. Kundër Anglisë ishte caktuar Jasir Asani, më pas Nedim Bajrami, më pas Rei Manaj dhe ndaj Serbisë, ishte sërish Manaj që po ekzekutonte më mirë penalltitë në stërvitje. 

“Në kategoritë inferiore ndodh, se ndryshe nuk ka llogjikë. Janë dy role që nuk ndërrojnë kurrë në futboll, është portieri kur fillon sezoni, përtej ulje-ngritjeve që do të ketë dhe gjuajtësi i penalltive. Si mund të ndryshosh nga ndeshja në ndeshje penalltitë, se kush do t’i gjuajë? Atëherë i bie që herën tjetër do t’i vi radha edhe Ylber Ramadanit me Gjimshitin për të gjuajtur penalltitë se i shikon Sylvinho në dy ditë stërvitje. Ore Silvinjo nuk është trajner, është seleksionues, ai tre ditë punon, thjesht përzgjedh. Silvinjo tregoi me zgjedhjet e tij se nuk është trajneri i duhur për Shqipërinë. Manaj tre ditë sëmurë,  3 ditë nga 6 ditë stërvitje. Vetëm shikojeni pak, Manaj e mban kokën ulur te penalltia, ai nuk ishte gati për këtë gjë. Nga mënyra sesi u nis në qendër, me kokën ulur, mendova ishte një goditje qendrore dhe e fortë, do të ishte gol ashtu. Për mua nuk ishte faji i Manaj, i Silvinjos ishte”, tha Dervishi. /Sport Ekspres/