Jepini drejtimin e Shqipërisë! Ilir Daja ka bërë një çmenduri të madhe në mbrëmjen e sotme duke e treguar edhe njëherë tjetër se përse është trajneri më i mirë në Shqipëri. Pasi futi Skënderbeun në grupet e Europa League, atje ku në fazën e fundit eleminoni favoritët e Dinamo Zagrebit, më pas Daja do të shkonte me valixhen e suksesit në Kosovë, te Ballkani. Për herë të parë në histori e shpalli këtë ekip kampion, më pas për herë të parë në histori e dërgoi në grupet e Conference League, madje dy herë radhazi. Tani të njëjtin sukses po e përsërit edhe me Dinamon e Tiranës.
E mori këtë klub nga një gjendje e rëndë dhe tani është në fazën e Play Off të Conference League. Por jo vetëm kaq, ekipi i Ilir Dajës ka arritur që të eleminojë gjigandët e Hajduk Splitit në shifrat 3-1. Vetëm me Ilir Dajën ndodh që një ekip shqiptar të luajë futboll sulmues edhe kundër fuqive të mëdha pasi Hajduk Split, gjigandët e Kroacisë, është padyshim një fuqi e madhe për Dinamon e Tiranës.
Statistikat folën qartë për ne teksa goditjet në total ishin 20-6 në favor të Dinamos dhe ato në portë, 10-2.
Goli i parë i ndeshjes erdhi nga Zabërgja në minutën e 14, ndërsa Dinamo shpërdoroi shumë mundësi të arta për ta mbyllur 90 minutëshin 1-0. Duke qenë se ndeshja e parë shkoi 2-1 në favor të Hajdukut, gjithcka shkoi në shtesë. Atje u mendua se Dinamo do të humbiste pasi i kishte shteruar energjitë dhe Hajduku ishte mbrojtur gjatë gjithë kohës dhe për më tepërkishte një stol më të mirë. Mjafton të theksojmë se Ante Rebic, një ish-lojtari i Milanit u hodh në fushë në minutën e 90. Dhe 9 minuta më vonë, mjaftoi një goditje këndi e Hajdukut që erdhi nga hici për të dalë te goli. Por Dinamo nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit pasi Qardaku në minutën e 109 dhe Berisha dy minuta më vonë, vendosën gjithçka, Dinamo fiton 3-1 dhe kaloi më tej, ndërsa te Hajduk Split vendosën duart në kokë duke mos i besuar syve për atë që po ndodhte. Ilir Daja tregon edhe njëherë tjetër se përse e meriton drejtimin e Shqipërisë. /Sport Ekspres/