Është hedhur këtë të premte në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës shorti për raundin e parë kualifikues të Kampionatit Europian U-17 për vajza për edicionin 2024-2025.
Shorti e vendosi Shqipërinë e vajzave kuqezi në Grupin B4 të Ligës B, së bashku me Kosovën dhe Izraelin. Përfaqësuesja shqiptare U-17 për vajza merr pjesë edhe në këtë edicion të Europianit në Ligën B, ku do të garojë për të siguruar ngjitjen në Ligën A.
Trajnerja e re e përfaqësueses U-17 për vajza, Cyme Lulaj do të debutojë zyrtarisht në stolin kuqezi në këtë raund të parë kualifikues të Europianit 2024-2025 për vajza. Tre federatat e tre skuadrave pjesëmarrëse të grupit B4 do të diskutojnë së bashku për të gjetur kompromisin për vendin që do të organizojë këtë mini-turne.
Vitet e fundit, UEFA dhe federatat e tjera ia kanë besuar FSHF-së organizimin e këtyre mini-turneve europianë.