Shqipëria ka mbërritur në Europian për herë të dytë në historinë e saj. Ndryshe nga Europiani i 2016, këtë herë kuqezinjtë duan më shumë sesa pjesëmarrje. Pavarësisht se jemi në grupin më fatkeq, me rivali si Italia, Kroacia, Spanja, shqiptarët jo vetëm që nuk janë trembur, por ëndërrojnë edhe një kalim të çmendur deri në fazën çerekfinale.
Në fakt, nuk është një çmenduri e tifozëve. Kemi dalë për herë të parë në vendin e parë në një grup kualifikues të Europianit, kemi ekipin më të mirë të historisë dhe mbi të gjitha, është vetë trajneri Silvinjo që ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe për t’u kualifikuar në këtë grup, jo thjesht për një paraqitje dinjitoze.
Por me kë mund të përballet Shqipëria nëse kualifikohet më tej në këtë grup të vështirë? Fillimisht duhet të sqarojmë rregullin që përveç vendit të parë dhe të dytë, mes 6 grupeve të Europianit, 4 vendet e treta më të mira kalojnë më tej, ndërsa 2 prej tyre, dalin nga gara dhe me vendin e 3. (Shpjegimi i skemës me video)
Pra me një fitore të marrë, me 3 pikë, Shqipëria i rrit shumë shpresat për të kaluar më tej duke menduar se në 2 grupe, dy ekipe do ta mbyllin me nga një barazim dhe dy humbje. Megjithatë kjo skemë dhe logjikë nuk na funksionoi në Francë pasi u skualifikuam nga gara. Me katër pikë, Shqipëria do të ishte zyrtarisht e kualifikuar.
Tani kalojmë në skemën e përcaktuar se më kë do të ndeshet Shqipëria nëse shkon më tej, në të tre variantet. Vendi i parë i grupit B ka 4 mundësi për t’u ndeshur më tej. Vendi i parë i grupit B do të ndeshet me vendin e 3 të grupit A, D, E ose F. Në grupin A gjendet Gjermania, Zvicra, Skocia dhe Hungaria. Në grupin D gjendet Polonia, Austria, Franca dhe Hollanda. Në grupin E gjenden Rumania, Belgjika, Sllovakia dhe Ukraina. Në grupin F gjendet Cekia, Turqia, Portugalia dhe Gjeorgjia. Nëse nuk do të ketë surpriza, me siguri që Shqipëria si vendi i parë do të ndeshej me Skocinë, Poloninë, Ukrainën ose me Cekinë.
Ndërkohë nëse del në vendin e dytë, Shqipëria e ka qartësisht të përcaktuar kundërshtarin. Vendi i dytë i grupit B ndeshet me vendin e dytë të grupit A ku janë Gjermania, Zvicra, Skocia dhe Hungaria. Pra me vendin e dytë, do të kishim një përsëritje të Shqipëri-Zvicër me shumë gjasa. Ndërkohë nëse dalim në vendin e tretë dhe kalojmë më tej, do të kemi dy mundësi. Vendi i tretë i grupit B do të ndeshet me të parën e grupit E ku gjendet Rumania, Belgjika, Sllovakia dhe Ukraina. Pra sipas të gjitha gjasave, Shqipëria do të ndeshej me Belgjikën. Ndërkohë variant tjetër është vendi i tretë i grupit B që ndeshet me të parën e F ku janë Cekia, Turqia, Portugalia dhe Gjeorgjia, pra sipas të gjitha gjasave, me Portugalinë. Këto janë të gjitha mundësitë dhe ka shumë gjasa që Shqipëria të marrë vendin e tretë në grup, ndërsa më tej do të ndesheshim me Belgjikën ose me Portugalinë. /Sport Ekspres/