Shqipëria do të përballet me Serbinë në 7 qershor. Tani kanë nisur edhe provokimet nga ana e kundërshtarëve, ndërkohë që Sport Ekspres ka vendosur të bëjë një analizë sportive të kësaj ndeshje. Pra nëse lëmë për një moment mënjanë gjithë urrejtjen dhe faktorët historikë që kemi me Serbinë dhe vlerësojmë vetëm ekipet, kush ka lojtarë më të mirë dhe repart më të mirë? Serbia e ka shpallur listën e saj dhe ne kemi marrë për bazë formacionin e saj të fundit të hedhur në fushë në fitoren 2-0 kundër Austrisë. Njëkohësisht për ta bërë krahasimin më të kuptueshëm dhe më të drejtë, kemi bërë një vendosje të Shqipërisë si ajo e Serbisë, 3-4-2-1, për të kuptuar më qartë se kush ka emra të mirë në secilin prej reparteve. Dhe e nisim nga porta:
Rajkovic-Strakosha
“Në krahasimin mes portierëve, Serbia duket diçka më e siguruar. Rajkovic është shoku i ekipit të Mario Mitajt, është shpallur kampion me Al Ittihad në Arabinë Saudite. Por ka shumë eksperiencë dhe më parë ka qenë me Vedat Muriqin në La Liga, duke zhvilluar shumë ndeshje në elitën e futbollit spanjoll. Gjithashtu është një gjigant, 1.91 centimetra që do t’i vendosi në vështirësi kuqezinjtë për t’i gjetur cepin e rrjetës. Nga ana tjetër Strakosha nuk ndodhet në periudhë të mirë, ka kaluar në plan të dytë te AEK. Është një portier që mund të bëj një ndeshje pa gabime, por pa pasur ndonjë heroizëm që të jep pikë në saj të një mrekullie të tij. Ndoshta mund të bëj ndeshjen e karrierës kundër Serbisë në Kombëtare”.
Ismajli-Gjimshiti-Ajeti (Kumbulla) VS Pavlovic-Milenkovic-Erakovic
Niveli i mbrojtjes është i përafërt, por Shqipëria mund të thuhet se ka diçka më shumë në siguri. Por nuk duhet harruar se edhe niveli i Serbisë është i lartë në prapavijë, shumë rrallë ky ekip pëson 2 gola në ndeshje, ndërsa është e pamundur të shohësh një ndeshje ku kanë pësuar 3 gola. Mbrojtësi i tyre i vetëm / që mund të quhet niveli më i lartë është Milenkovic, ka bërë një super sezon te Notingham Forest dhe është shumë e vështirë për ta lënë mbrapa në driblim. Por me në një duel me Gjimshitin te Shqipëria, forcat baraspeshohen. Ndërkohë Ismajli është padyshim në një nivel më të lartë sesa Pavlovic i Milanit që mund të bëjë gjithçka gjatë 90 minutave, të provokojë dhe të jap përshtypjen e një luftëtari, por lë për të dëshiruar kur ka përpara një kundërshtar me shumë aftësi teknike. Një Armando Broja në super formë do t’ia bënte jetën ferr Pavlovic, ndërsa një sulmues tjetër i fizikishëm i Shqipërisë por me pak aftësi teknike, do ta bënte Pavlovicin që të dukej si një mbrojtës i pakalueshëm. Është në detyrën e Silvinjos për t’i lënë Pavlovic dikë që është shumë më lart teknikisht dhe mos t’i ofroj thjesht një lojtar që ka formë fizike, pasi ajo është arma e serbit. Ismajli nga ana tjetër e ka treguar veten se është thjesht i pakalueshëm pavarësisht nëse kundërshtari që ka përballë është i mirë teknikisht apo fizikisht. Ndërkohë mes Ajetit dhe Kumbullës dhe Erakovic të Zenitit, sërish peshorja anon nga Shqipëria.
Mitaj-Asllani-Qazim Laçi (Shehu)-Balliu VS Terzic-Maksimovic-Gudjel-Zivkovic
Terzic luan te Salzburg, Maksimovic te Panathinaikos, Gudjel te Sevilla dhe Zivkovic te PAOK. Dhe në këtë krahasim, jo vetëm që kemi një barazim të vlerave, por sërish mund të thuhet se Shqipëria ka diçka më shumë. Mitaj është i pakrahasueshëm me askënd nga kundërshtari, vite dritë larg tyre duke i dhënë një avantazh të madh Shqipërisë. Asllani pjesë e Interit, pavarësisht se ka pak minuta, por tani ka fituar edhe më shumë eksperiencë. Qazim Laçi një lojtar tipik i Kombëtares dhe që ka luajtur gjithmonë titullar, por edhe Shehu që mund të jetë alternativë për të, në një super formë në Poloni. Ndërkohë në krahë kemi eksperiencë e Balliut që vjen nga La Liga, e parë në emra ekipesh dhe lojtarësh me një Mitaj që zhbën kundërshtarin, Shqipëria ka më shumë pikë në mesfushë.
Bajrami (Muçi)– Asani VS Lukic-Samardric
Ngelet për t’u parë se kujt do t’i besojë Silvinjo krahun e majtë të sulmit, Bajramit apo Ernest Muçit, ndërsa në krahun tjetër, Jasir Asani duket i paprekshëm. Në fakt pika e fortë e Serbisë është piëkërisht kjo, ajo e fazës së krahëve të sulmit, nëse mund ta quajmë kështu. Lukic është pjesë e Fulahm në Premier League dhe ka shumë minuta në këmbë, megjithëse nuk është produktiv në gola të shënuar. Ndërkohë Samardic është pjesë e Atalantës, por shpesh duke qenë në stol. Situata e Samardic në Kombëtare është si ajo e Mucit te Shqipëria, është 23-vjeç, por nuk është shkrirë ende me ekipin dhe është ende larg pritshmërive. Në aftësi teknike dhe mundësinë e futjes me topin në zonë, ka më pak rrezik, rreziku i vetëm nga ky lojtar është goditja nga distanca, e ka të frikshme dhe lojtarët e Shqipërisë duhet të mbyllin menjëherë hapësirën. Në emra ekipesh ku luajnë lojtarët Serbia kryeson në këtë aspekt, por në një Asani në formë dhe në një Bajrami ose Muci të ndezur, Shqipëria mund ta tejkalojë edhe në këtë repart pasi Lukiç nuk ka produktivitet.
Armando Broja VS Vlahovic
Një sezon jo i mirë për të dy sulmuesit, njëri pjesë e Everton, tjetri pjesë e Juventus. Gjimshiti dhe Ismajli e kanë futur “në xhep” në Serinë A këtë sulmues, sa herë që Atalanta apo Empoli ka luajtur kundër Juventusi. Ndërsa Armando Broja, në një mbrëmje magjike të tijën, mund të kalojë pa asnjë problem Erakovic dhe Pavlovic, ndërsa e vetmja pengesë për të do të jetë Milenkovic, që e njeh mirë edhe nga Anglia. Në këtë repart me entuziazmin dhe shpërthimet që mund të bëjë Broja, e lë Vlahovic shumë mbrapa. /Sport Ekspres/