Shqipëri, ta gëzojmë Botërorin! Anglia tregon emrat e lojtarëve, nuk ka asnjë shans për Serbinë

Shqipëria do të luajë gjithçka në datën 13 nëntor sa i përket ëndrrës së Botërorit. Kuqezinjtë do të përballen me Andorrën në transfertë, atje ku fitorja është detyrim. Pas fitores me Serbinë, një fitore në transfertë me Andorrën do t’i dërgonte kuqezinjtë më afër ëndrrës së Play Off-it të Botërorit.

Por cilat janë skenaret që ne na dërgojnë për herë të parë në histori, kaq shumë pranë kompeticionit më të rëndësishëm në botë sa i përket Kombëtareve? Skenari më i thjeshtë është ai që Shqipëria të fitojë me Andorrën dhe Anglia të bëjë detyrën, për të mundur në shtëpi Serbinë, pavarësisht se e ka siguruar kualifikimin e saj.

Ndërkohë në çdo rast surprize të Serbisë, atëherë edhe Shqipëria është e detyruar që të bëjë të njëjtën gjë kundër Anglisë, për ta befasuar në Air Albania. Një mision që do të ishte më shumë sesa i vështirë dhe prandaj në 13 nëntor nuk do të jemi vetëm me sytë nga Shqipëria, por edhe nga Anglia.

Shqipëria është e detyruar për të fituar, po aq sa edhe fitorja e Anglisë me Serbinë që për ne mbetet detyrim. Por sa shanse ka që Anglia të lëshojë pe në këtë takim? Në gjithë vitet e fundit, Anglia e ka mbyllur me pikët e plota grupin e saj dhe aktualisht jo vetëm që ka pikë të plota, por golavarazhi i saj është 16-0, pra asnjë gol i pësuar.

Nga ana tjetër, trajneri Tuchel kishte thënë që lojtarët më të rëndësishëm do të bënin pak pushim për ndeshjen me Serbinë dhe Shqipërinë. Megjithatë në listën e publikuar nga Anglia, emrat janë aq shumë të frikshëm sa mund të themi pa problem: “Shqipëri, ta gëzojmë Play Off-in e Botërorit”.
Anglia ka rikthyer Foden dhe Bellingham, me këtë të fundit që ka qenë i dëmtuar më parë dhe tani do të rikthehet edhe te “tre luanët” për të qenë pjesë e mekanizmit të Tuchel. Sulmi i Anglisë ka emra të frikshëm: “Boëen, Eze, Foden, Gordon, Kane, Rashford dhe Saka”.

Kushdo prej këtyre emrave të luajë në sulm, është e sigurt se do të jetë i dëmshëm dhe do të mbylli të gjitha shpresat e Serbisë. Gjithashtu edhe për ata pak emra lojtarësh që do të aktivizohen, është treni i fundit për t’i treguar Tuchel sesa vlejnë dhe e parë në këtë këndvështrim, aktivizimi i lojtarëve të rinj është më keq për Serbinë sesa një Angli me lojtarë të vjetër, të pamotivuar.

Shqipëria duket e sigurt drejt Play Off-it të Botërorit, por asaj që ne i druhemi është mungesa e festës në Air Albania. Kur shkuam në Europianin e Gjermanisë nuk arritëm dot të festonim në Air Albania pasi barazuam 0-0 me Ishujt Faroe dhe nëse Anglia fiton thellë kundër nesh në ndeshjen e fundit, atëherë do të ishte e njëjta pamje jo shumë e bukur, me një tjetër arritje të madhe të pashijuar. /Sport Ekspres/