“Shqipëria dhe Kosova në Botëror? Fantastike”! Armand Duka hap zemrën: Edhe një të kalonte, do të festonim

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Esmeralda Mulaj, ku ka folur për ndeshjen ndaj Serbisë, emocionet e ekipit Kombëtar, fazën play-off dhe objektivat për kualifikimin në Kupën e Botës 2026.

Presidenti Duka vlerësoi përkushtimin e skuadrës kuqezi, organizimin e ndeshjes në Serbi dhe theksoi se futbolli duhet të mbetet gjithmonë një urë bashkimi mes popujve, pavarësisht rivaliteteve.

INTERVISTA E PLOTË:

Ndeshja ndaj Serbisë? – Ishim goxha të ngarkuar dhe me emocione, sepse ishte një ndeshje e rëndësishme që do të vendoste nëse mund të vazhdonim ose jo për një vend në fazën play-off të Botërorit, por gjithashtu edhe për të gjitha ngarkesat që ka përballja Shqipëri – Serbi. Por falë organizimit të Federatës Serbe gjithçka shkoi shumë mirë nga pikëpamja organizative, akomodimi, udhëtimi, kushtet e lojës dhe falë impenjimit të futbollistëve, lojës së tyre, rezultati ishte shumë i bukur dhe na kënaqi.

Sa emocione kishte Kombëtarja para kësaj ndeshjeje? – Ndeshjet e ekipit Kombëtar janë gjithmonë me më shumë ngarkesë, mendoj unë, se ndeshjet e klubeve. Përgjegjësia e fanelës së një ekipi Kombëtar është shumë më e madhe. Por duke pasur parasysh këtë ndeshje, pikërisht ndaj Serbisë, apo për të vazhduar rrugën për një kualifikim të mundshëm në Botëror, e bënte akoma dhe më shumë emocionuese dhe të ngarkuar. Ishte për të dyja skuadrat e njëjta gjë. Do të dilte e fituar ajo skuadër që do të ishte më e qetë dhe që do të menaxhonte më mirë emocionet. Mendoj që ekipi jonë këtë e bëri.

Kush i qetësoi emocionalisht lojtarët, ju apo Silvinjo? – E para, duhet të jesh i përgatitur për të menaxhuar emocionalisht, duhet të kesh një lloj niveli profesional që ekipi jonë e ka. Por, pa dyshim që të gjithë bashkë kemi dhënë një lloj kontributi për ta menaxhuar mirë skuadrën, për të mos kaluar në mbingarkesë emocionale, por për të ruajtur balancën e impenjimit dhe emocioneve.

Sa e kuptonte Silvinjo emocionin jashtë fushës së lojës? – Silvinjo e ka vlerësuar maksimalisht ndeshjen sportivisht, për të arritur fitoren, për të vazhduar rrugën për kualifikim drejt Botërorit, sepse arritja e kualifikimit është akoma e vështirë. Por unë nuk besoj që e ka kuptuar peshën e asaj fitoreje njësoj siç e kemi kuptuar ne. Kënaqësia e tij është më shumë sportive dhe më pak emocionale. E jona është bashkë.

Thirrjet në ndeshjen Serbi – Shqipëri? – Thirrjet, fatkeqësisht, i kanë shoqëruar përballjet tona me Serbinë në Tiranë dhe në Serbi. Madje, edhe në ndeshjet kur nuk luajmë ndaj Serbisë, thirrjet tona nuk janë më dashamirëse se të tyret; e njëjta gjë edhe për palën serbe. Nga institucionet e futbollit, si FSHF dhe Federata Serbe, si ekipi Kombëtar shqiptar dhe ekipi Kombëtar serb, distancohen plotësisht dhe nuk është që i dëshirojnë këto gjëra. Kjo është një lojë dhe ne duhet ta përjetojmë si të tillë, si një garë që kryen misione bashkimi, ura komunikimi dhe jo përçarje të njerëzve. Shumë keq është që ekzistojnë këto thirrje, por nuk është e vërtetë ajo që thoni ju, që dikush favorizohet dhe dikush penalizohet, sepse fatkeqësisht kemi dëgjuar edhe dje, kur luante Kosova me Suedinë, të njëjtat gjëra që nuk duhet të ekzistojnë. Apo kur luan Shqipëria kundër Andorrës apo Gjeorgjisë, dëgjojmë të njëjtat gjëra që nuk duhet të ekzistojnë. Unë mendoj që kjo ndeshje e Shqipërisë me Serbinë ka dhënë një lloj kontributi pozitiv për të arritur në një lloj sheshimi dhe vështrimi perspektiv të gjërave.

Kartoni i verdhë i Rey Manaj – Është një abuzim i madh që Rey Manaj mori karton për festimin me shqiponjë. Kjo nuk është një gjë e vërtetë. Manaj mori karton sepse ai shkoi të festonte në pankinën e ekipit kundërshtar që konsiderohet dhe është provokim. Shqiponjën mund ta bësh nga mëngjesi deri në darkë dhe nuk penalizohesh. Jam shumë i lumtur me rezultatin dhe me atë që ka ndodhur në fushë dhe me golin dhe festimin e Reit.

Ulje-ngritjet e Kombëtares – Ekipi ynë ka qenë në ngritje vazhdimisht në vitet e fundit me një progres. Por që të fitosh gjithmonë në futboll nuk ekziston, as për ekipe që konsiderohen shumë të mëdha. Futbolli i ka të treja rezultatet, diferencat nuk janë aq të mëdha. Sidomos në ekipet kombëtare. Kemi parë Francën kundër Islandës që barazoi 2-2 apo pamë Kosovën që fitoi dy herë kundër Suedisë, një ekip me traditë në futbollin europian. Diferencat janë të vogla dhe nuk ka gjithmonë rezultate pozitive.

Dy ndeshjet e fundit kundër Andorrës dhe Anglisë– Duhet të vlerësojmë maksimalisht Andorrën, është një ndeshje shumë e rëndësishme nga e cila mund të marrim biletën për të luajtur në play-off. Duhet të përqëndrohemi maksimalisht, me vlerësim maksimal. Teorikisht ne kemi një skuadër më të mirë, i kemi të gjitha mundësitë për ta fituar dhe të shkojmë për ta fituar. Anglia është një nga skuadrat më të mira të botës, jo vetëm të Europës. Edhe ajo duhet respektuar për aq sa meriton. Ne do të luajmë kartat tona në këtë stadium.

Fitorja e Kosovës kundër Suedisë – Ka futbollistë shumë të mirë dhe me kualitet. Nuk është fare suprizë që i fiton të dyja ndeshjet. E supermeritoi fitoren në ndeshjen e parë në Prishtinë, e meritoi dhe mbrëmë dhe e meriton të jetë pjesë e Botërorit.

Nëse do kualifikoheshin edhe Shqipëria edhe Kosova në Botëror? – Do të ishte fantastike nëse do arrijmë të mbështesim dy kombëtare. por edhe nëse do jetë vetëm 1, do ishim të gëzuar