Silvinjo do të testojë ekipin e tij në miqësoren e fundit përpara fillimit të Kampionatit Europian. Kuqezinjtë do të përballen me Azerbajxhanin mbrëmjen e nesërme, duke nisur nga ora 19:00. Mahir Emreli u paraqit përkrahë trajnerit të Kombëtares në konferencë për shtyp, ku deklaroi se në ekip janë të vetëdijshëm për forcën e Shqipërisë. Lojtari azer shtoi se fakti që ekipi kombëtar shqiptar por përgatiet për Kampionatin Europian, ia shton edhe më tepër motivimin për të fituar.
“Ne e dimë forcën e kundërshtarit. E dimë që po përgatiten për Kampionatin Evropian. Është një ekip me lojtarë cilësorë. Kemi analizuar kombëtaren shqiptare. Pavarësisht se kush është kundërshtari, ne do të bëjmë maksimumin për të fituar dhe për të lumturuar popullin tonë. Nëse jeni duke garuar nën këtë flamur, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, pavarësisht nëse është një ndeshje zyrtare apo miqësore. Përgatitja e kombëtares shqiptare për Kampionatin Evropian na jep një motiv shtesë. Ndeshje të tilla janë si një festë për mua. Asgjë nuk e zëvendëson suksesin me kombëtaren. Do të jetë gjithashtu një takim i rëndësishëm për të parë se në çfarë forme jemi. Si ekip po përgatitemi me të gjitha forcat në stërvitje”, ka deklaruar Mahir Emreli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/