Kombëtarja U-19 nis sot grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Irlandës. Trajneri Julian Ahmataj ka përzgjedhur 21 futbollistë për këto dy takime, që do të zhvillohen më datat 10 dhe 12 tetor, në orën 11:00.
Fillimisht ndeshjet ishin planifikuar të luheshin në stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnjë, por me marrëveshje mes palëve është vendosur që ndeshja e 10 tetorit të luhet në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë ndërsa takimi i 12 tetorit të zhvillohet në stadiumin e Luzit.
Këto miqësore do të shërbejnë si testi i fundit për kuqezinjtë para nisjes së kualifikueseve të Kampionatit Europian U-19, që do të luhen muajin e ardhshëm. Për stafin teknik, sfidat ndaj Irlandës janë një mundësi e vlefshme për të vlerësuar formën e lojtarëve dhe për të finalizuar listën përfundimtare me 21 futbollistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në raundin e parë kualifikues.