“Shqiptarët janë më të civilizuar, e ndajnë sportin nga politika”, Duka: Uroj që Serbia të ketë nxjerrë mësime nga ndeshja e parë

Shqipëria dhe Serbia do të përballen sërish më njera-tjetrën, këtë herë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026. Armand Duka është besimplotë për një organizim pa inidente në sfidën e 7 qershorit. Kreu i FSHF-së ka deklaruar për emisionin “Favorit” në “T7” se shqiptarët dinë ta ndajnë sportin nga politka dhe se janë më të qytetëruar në shkallët e stadiumit. Ai shpresoj që Serbia të ketë nxjerrë mësime nga ndeshje e vitit 2014 në Beograd dhe që gjithçka të shkojë në mënyrën e duhur.

“Ne kemi një eksperiencë me organizimin e ndeshjes ndaj Serbisë. Padyshim që kemi pasur masa të shtuara sigurie. Por kemi përfunduar me sukses organizmin e saj, pa incidente të mëdha. Ka patur faktikisht një goditje me gur të autobusit të futbollistëve serb në hyrje të Tiranës dhe ky ka qenë incidenti i vetëm. Mirë do të ishte që të mos ndodhte edhe ai. Jam shumë i bindur që ne përsëri do ta organizojmë mirë. Kam besim në eksperiencën organizatore, kam besim te ata që do të vijnë në shkallët e stadiumit.

Më duket vërtetë që ne jemi më të civilizuar dhe dimë ta ndajmë sportin nga politika. Dimë t’i mbajmë emocionet sportive në sport. Ndihma reale që mund t’i japin skuadrës është që ta ndihmojmë atë sportivisht, ta përjetojmë si një ndeshje futbolli. Fitorja jonë është që të fitojmë rezultatin në fushë, të fitojmë 3 pikët dhe të ecim përpara. Kam besim edhe te policia e shtetit shqiptar, që do të na ndihmojë për ta organizuar shumë mirë.

Ndërsa në Serbi eksperiencat janë negative. Duket sikur ata kanë shumë më shumë huliganizëm. Ne nuk kemi huliganizëm. Ata janë më pak të organizuar se ne, qoftë edhe nga pikëpamja e sigurisë shtetërore. Uroj të kenë nxjerrë mësime nga ndeshja e kaluar dhe të bëjnë çdo gjë mirë. Shumë e rëndësishme është që edhe të ndërgjegjësohen, qoftë edhe futbollistët serbë, qoftë edhe mbështetësit, që kjo është një ndeshje futbolli dhe ta interpretojnë si një ndeshje futbolli dhe si një festë sportive”, është shprehur Armand Duka./Sport Ekspres/