Cdo fillim e ka një fund dhe asgjë nuk zgjat përgjithmonë! Ky është rregulli bazë i jetës, i futbollit dhe e çdo gjëje tjetër që prekin këmbët e një frymori. Këtë rregull e di më së miri edhe Qazim Laçi, që në pamje të parë duket se nuk i merr asnjëherë gjërat seriozisht, gjithmonë i qeshur, moskokçarës dhe njeriu i parë kur bëhet fjalë për të dhënë batuta me të gjithë pjesëtarët e klubit, sikur çdo gjë të funksiononte më së miri në jetën e tij personale.
Kjo është vetëm pamja e parë e një njeriu që vuan shumë brenda, pasi pas fshihet një djalë me zemër të madhe. Qazim Laçi ndoshta nuk është njeriu i shumëpërmendur i mediave apo lojtari i rritur në këto kohë në Angli dhe Itali, por është një “Old Shcool” dhe koha e ka treguar se e vjetëra kthehet më shumë në modë dhe merr më shumë vlerë me kalimin e kohëve. Sot nuk preferohet më arti në futboll, sot preferohen gjunjët në futboll, sakrifica në futboll, atletizimi në futboll, ndërhyrjet e ashpra në futboll, dominimi i Brazilit dhe lojës së bukur ka mbaruar me kohë.
E parë në këtë këndvështrim, një lojtar si Qazim Laçi është më i preferuari mes trajnerëve, kjo është një nga arsyet se përse Silvinjo nuk e largon kurrë nga fusha te Shqipëria. Para pak ditësh Qazim Laçi ka zgjedhur të largohet nga Sparta e Pragës duke firmosur për Rizesporin në Turqi.
Cekia nuk është një vend që shquhet për ndonjë dashuri të madhe ndaj shqiptarëve, madje parullat Kosova është Serbi janë aq të shpeshta në këtë vend sa nuk përbën më lajm. Por Qazim Laçi ishte i pari që shkeli te Sparta e Pragës dhe më fund e ktheu këtë klub në një koloni shqiptarësh, duke i dhënë dorën cdo lojtari shqiptar që po vinte në klub pas tij, nga Kosova e Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të gjithë jemi shqiptarë.
Në një moment të caktuar, Qazim Laçi mori rolin e liderit në fushën e blertë duke i mbajtur fjalim të gjithë lojtarëve të Spartës që po rrinin dhe e dëgjonin pas disa performancave të dobëta. Dhe tani vjen momenti i largimit! Mënyra sesi Sparta e Pragës ka reaguar për këtë largim ishte një emocion i pastër. Dukej qartë se në Ceki nuk e prisnin këtë vendim të mesfushorit shqiptar për të ikur në Turqi dhe mbrapa janë lënë shumë kujtime të bukura prej tij, emocione të forta.
“Shqiptari”, ishte një postim i Spartës së Pragës në një emoji me lot në sy, ndërsa në video shfaqeshin të gjitha momentet e Qazim Laçit, në një video dhe në një këngë që shtonte dozat e trishtimit.
“Sigurisht shqiptari”, ishte një tjetër postim i Spartës së Pragës mes fjalëve të Qazim Laçit dhe një fotografie, ose më saktë shumë fotografive ku shfaqeshin momentet e bukura dhe mes buzëqeshjes së Qazim Laçit me çdo anëtar të klubit.
Sigurisht, shqiptari, është një shprehje që Qazim Laçit e përdorte shumë në klub dhe të gjithë e dinin te Sparta, duke u kthyer në një himn atje. Kjo pasi Qazimi e tregonte me shumë krenari origjinën e tij, në çdo moment dhe në momentet e intervistave, aq sa shkaktonte edhe të qeshura tek të tjerët. Nëse shkoni një ditë për një vizitë në stadiumin e Spartës së Pragës dhe do të thoni…”Sigurisht, shqiptari”, do t’iu përmendin menjëherë emrin e Qazim Laçit.
Dhe Qazim Laçi ia doli, në një vend që ka urrejtje të madhe për shqiptarët, Shqipëria u ngrit në piedestalin më të lartë. Sepse jeta është kaq e shkurtër sa për ta marrë kaq shumë seriozisht, mbrapa duhet të lësh vetëm kujtime të bukura dhe një emër që të kërkojë kohë për t’u larguar dhe fshirë nga historia, në një formë ose në një tjetër, Qazim Laçi ia doli, sigurisht…shqiptari! /Sport Ekspres/