Portieri i Barcelonës, Ter Stegen, ka shpërthyer menjëherë pas ndeshjes mes Real Madrid dhe Barcelonës. Gardiani i ekipit të drejtuar nga Xavi, nuk e kupton ende sesi nuk u akordua goli i Yamal pasi edhe për topi kishte kaluar vijën. Në La Liga mungon teknologjia “Goal Line” ku arbitri sinjalizohet direkt nëpërmjet orës nëse topi e ka kaluar vijën ose jo dhe për këtë arsye u përdor VAR, që duket se këtë herë gaboi.
“Vasquez ishte shumë inteligjent në rastin e penalltisë, e kërkoi vetë atë. Yamal? Nuk e kuptoj pse nuk mund të kenë para në La Liga për të zbatuar teknologjinë e “Goal Line” që e kanë edhe kampionatet e tjera. Nuk gjej fjalë për ta shpjeguar atë që ndodhi sot. Është një turp për futbollin botëror. Kjo botë e sportit lëviz shumë para, por jo për atë që është më e rëndësishme. Më mungojnë fjalët”, tha Ter Stegen.
Nga krahu tjetër, Xavi u shpreh se Barcelona ishte ekip më i mirë se Reali në fushë sot. Gjithashtu Xavi tha se Barcelona meritoi të fitonte edhe në ndeshjen e parë në kampionat kundër Realit dhe sipas tij, në renditjen reale të La Liga-s duhej që Barcelonës t’i shtoheshin 6 pikët e humbura me Realin dhe Realit t’i zbriteshin 6 pikët e fituara me Barcelonën.
“Më pyetët dje për arbitrin dhe unë thashë se do të doja që ai të kalonte pa u vënë re dhe të kishte të drejtë. Epo, nuk ndodhi asnjë nga të dyja, ky është një turp i madh. Nuk mund të them asgjë për arbitrat, ju e keni parë të gjithë, i keni pamjet, analizojini. Nëse flas më shumë, do të më dënojnë. Ndjenja ime është se sot kemi përjetuar një padrejtësi të madhe, ndeshja nuk ishte e drejtë.
Nuk mund të mashtroj askënd dhe të bëj për budalla askënd, për më tepër, tifozët, është e qartë. Nuk mund të heshtim, ky është realiteti. Është turp sepse luajtëm një ndeshje shumë të mirë, e merituam fitoren. Ishim ekipi më i mirë sot. Por ky ishte një film i ndeshjes që kemi bërë me Real Madridin herën e parë. Shtojini Barcelonës gjashtë pikë dhe zbritini Real Madridit gjashtë pikë nga renditja, kjo do të ishte reale”, tha Xavi. /Sport Ekspres/