Deri në përfundim të Europianit kanë mbetur edhe tre ndeshje, dy gjysmëfinale dhe finalja. Më 14 korrik do të dimë se kush është kampioni i ri i Evropës dhe superkompjuteri i Opta-s dha parashikimin e tij. Kombëtaret e Spanjës, Anglisë, Francës dhe Holandës janë katër kombëtaret e mbetura që luftojnë për titullin kampion të Evropës.
Më 9 korrik nga ora 21:00 do të luhet në Mynih ndeshja mes Spanjës dhe Francës, ndërsa në Dortmund 24 orë më vonë do të fillojë dueli mes Anglisë dhe Holandës. Superkompjuteri i Opta ka analizuar shanset e secilës prej këtyre katër Kombëtareve për të fituar titullin e kampionit të Evropës dhe më së shumti shanse ka Spanja.
Kjo Kombëtare ka 32.17% shanse për të fituar trofeun në Gjermani dhe shumë do të pajtohen që Spanja është favoritja e parë sipas paraqitjeve të deritanishme në këtë kampionat. Nga ana tjetër, Franca ka 27.31% shanse për të fituar turneun në Gjermani. Sa i përket gjysmëfinales tjetër, Anglia, e cila luajti në finalen e EURO 2020, ka 26.59% shanse për të fituar trofeun, ndërsa Holanda, 13.93%. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/