“Si sulmon Shqipëria? Nuk e di në këtë botë dhe në tjetrën”! Ironia e Ilir Alliut: Shikoni dy ndeshjet me Serbinë, është fati i Silvinjos

Legjenda e Shqipërisë, Altin Rraklli, ishte i ftuar në emisionin “Mega Sport” që transmetohet në “A2 CNN”. Raklli ka folur sa i përket situatës së Ernest Muçit te Shqipëria dhe gjithashtu ka prekur pak mënyrën sesi po komentohet edhe Silvinjo në ambientin sportiv shqiptar. Përkundër gjithë kritikave dhe dyshimeve, Rraklli kujton faktin se me këtë trajner jemi në kulmin e historisë tonë.

“Unë kam qenë sulmues më parë, nëse do isha në vendin e Silvinjos, do të më pëlqente shumë që të isha më shumë ofensiv. Por të jemi pak realist dhe me këmbë në tokë, futbolli sot fitohet me mbrojtje, nuk fitohet me sulm. Të isha unë trajner, Muci do të grumbullohej me patjetër.
Por për ta futur nga fillimi, varet nga ndeshja, nga stërvitja aty brenda, nga ana taktike, mund të futet në pjesën e dytë ose 30 minuta nga fundi. Silvinjo ka pasur gjithmonë tendencë që në krahë të fus lojtarë me karakteristika mbrojtëse, që dinë të mbrojnë mirë. Duhet të jemi dhe pak realist se trajneri matet me rezultate, na dërgoi për herë të parë në Play Off të Botërorit, të jemi me këmbë në tokë”, tha Rraklli.

Ndërkohë nga ana tjetër, Ilir Alliu, një tjetër figurë dhe ish-lojtar i ekipit kombëtar, ndau një tjetër mendim. “Unë kam një tjetër mendim nga Rraklli, e mendoj ndryshe. Unë them se ky rezultat nuk është arritur nga Silvinjo, pra historia nuk është arritur nga Silvinjo, por nga lojtarët. Për mendimin tim, Silvinjo ka fatin që ka brezin më të mirë të lojtarëve në gjithë historinë e saj, pra të Shqipërisë. Kjo është arsyeja se përse ne kemi marrë rezultate.
Them këtë pasi kishim dy ndeshje me Serbinë, në shtëpi dhe jashtë. Në shtëpi, luanim përballë publikut tonë, kishim shumë raste, avantazh të madh dhe dalim barazim.

Pastaj i njëjti ekip, shkon dhe e rref Serbinë në Serbi. Unë mendoj se Shqipëria merr fitore rastësore, nuk merr fitore llogjike. Nëse do të fitonim këtu me Serbinë dhe do të barazonim atje, atëherë do të thoja po, kjo ishte sipas e një llogjike të pastër dhe e punës dhe planit të mirëmenduar nga ana e Silvinjos. Unë kam vetëm një pyetje për Rrakllin, si shkon Kombëtarja në sulm? Nuk ia gjej dot busullën, në këtë botë dhe në tjetrën, nuk e di sesi sulmon ekipi ynë kombëtar”, tha Alliu. /Sport Ekspres/