“Si zyrtar i Egnatias, them se kalojmë turin me 90%”, Zeka skanon rivalin: Breidabliku pëson gola, humbet shpesh në shtëpi

Xhevdet Zeka ishte i ftuar në emisionin “Max Sport” në “Euronews Albania” përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë. Ai ka folur për ndeshjen e së martës, mes Egnatias dhe Breidablikut, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Champions League-s. Zyrtari i klubit rrogozhinas i jep 90% shanse për kualifikim kampionëve të Shqipërisë, si dhe thekson përgatitjen e shkëlqyer të Egnatias për këtë sfidë.

“Egnatia ka bërë një super përgatitje, që përpara se të fitonte titullin kampion. Parapërgatitje në merkaton që do të bënte, për plotësimin e skuadrës për të parashikuar edhe këtë skuadër që do të binte (në short) se si do ta mundte. Ka prurë lojtarë shumë të mirë. Braziliani i krahut të djathtë, që erdhi nga Flamengo, është i një niveli shumë të lartë. Dje i është bashkuar klubit një lojtar spanjoll, që nga mosha 9 vjeç deri në 23, ka qenë në radhët e Barcelonës. Është mbrojtës i djathtë. Grupi është i shkëlqyer.

Sa shanse ka Egnatia për kualifikim? Po të isha totalisht në media, do të thoja 150%. Duke qenë se jam gazetar dhe punoj te Egnatia, si zyrtar i Egnatias, them mbi 90%. Por futbolli ndonjëherë do edhe fatin, do edhe arbitrat. Breidabliku është një skuadër që pëson gola, por edhe fiton. Është një skuadër që edhe brenda fushës së vetë humbet shpesh. Jashtë është e qartë në mesfushë dhe në kundërsulme”, ka deklaruar Xhevdet Zeka./Sport Ekspres/