Silvinjo, çfarë po na bën? Shqipëria si Leverkuseni i EURO24, hyjmë për herë të 3 në historinë e Europianit

Nëse në Europianin e 2016 me De Biazin kishim shkuar për të marrë pjesë dhe nuk kërkonim më shumë se kaq, nisur edhe nga mënyra sesi përfunduam në Francë në 2016, këtë herë nën drejtimin e Silvinjos, ishte një tjetër histori. Pavarësisht se ishim në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, të gjithë ëndërronin kualifikimin më tej.

Nuk dihet ende sesi do të përfundojë kjo histori, por ajo që ne mund të themi me bindje të plot, është se Shqipëria e Silvinjos nuk është normale, aspak normale. Besojeni ose jo, Shqipëria ka zhvilluar 5 ndeshje në gjithë historinë e saj në Europian dhe vetëm 2 ndeshje nën drejtimin e Silvinjos, por deri tani, ka shkuar tre herë në librat e historisë.

Fillimisht me Italinë, ku goli i Nedim Bajramit është bërë goli më i shpejtë i shënuar në historinë e këtij turneu. Për të kaluar më tej, me Klaus Gjasulën. Ky i fundit bëhet lojtari i vetëm në historinë e Europianit që i ardhur nga stoli, arrin të realizojë gol në portën e tij dhe gol në portën kundërshtare, askush tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Por jo vetëm kaq, vetëm Gjasula ka shkruar dy herë historinë në Europian. Me golin e shënuar në minutën e 94 e 23 sekonda, goli i Gjasulës është goli më i vonë i barazimit që është shënuar ndonjëherë në Europian. Pra Shqipëria mban rekordin e golit më të shpejtë në Europian dhe të golit më të vonë në Europian. Një mënyrë kjo si e Leverkusenit, që në sezonin e kaluar është njohur gjithmonë për golat e shënuara në minutën e fundit, që tregon forcën e madhe dhe mos dorëzimin. Madje edhe në ndeshjen kundër Italisë, Shqipëria i shkoi fare pranë barazimit me Manajn në minutën e fundit.

Nëse do t’i tregonim vetëm këto statistika dikujt, me siguri që do të mendonte se flitej për Spanjën, Italinë, Gjermaninë, por jo, flitet për këtë Shqipërinë e Silvinjos, anormalen. Atëherë, një Shqipëri anormale si kjo, a mund ta dërgoj deri në fund çmendurinë e saj me Spanjën? Disa do të thonë jo, por kini kujdes, e përsërisim, kjo Shqipëri nuk është e zakontë. /Sport Ekspres/