Silvinjo e bën Shqipërinë të duket si Gjermania, gati të tërhiqet nga Kombëtarja edhe Berisha?

Në momentin kur Silvinjo mbërriti te Shqipëria, fitoi dashurinë e të gjithëve. Kritikat e para për të qëndronin në mungesën e eksperiencës së tij në pankinë dhe disa menduan se Shqipëria për të do të ishte si një autoshkollë. Mjaftoi një ndeshje e vetme, madje në atë rast ishte një humbje ndaj Polonisë dhe menjëherë u kuptua rruga se ku u nis Shqipëria.

Në takimin e radhës, i gjithë stadiumi ishte përplot në Air Albania, pavarësisht se luanim ndaj një rivali modest si Moldavia. Kjo nuk kishte ndodhur më herët dhe tregon shumë sa i përket dashurisë me shikim të parë mes tifozëve shqiptarë dhe Silvinjos.

Ndërkohë në listat e publikuara në ndeshjet pasardhëse për kualifikueset e Europianit, po për herë të parë në histori, nuk kishte asnjë polemikë për trajnerin e Kombëtares. Jo vetëm në saj të rezultateve, Silvinjo grumbullonte më të mirët dhe kishte diplomaci, duke mos rrezikuar të lërë jashtë emra të njohur për Kombëtaren.

Derisa mbërriti Europiani i Gjermanisë ku lënia jashtë e Uzunit, Cikalleshit, Bares dhe Mujës shkaktoi një jehonë të madhe. E njëjta situatë paraqitet edhe në listën e Ligës së Kombeve teksa Silvinjo ka lënë jashtë Uzunin, Baren dhe Ernest Mucin. Kështu pasi i mungoi ftesa për në Gjermani, Cikalleshi shpalli menjëherë tërheqjen nga Kombëtarja.

Të njëjtin veprim e ndoqi edhe Klaus Gjasula pas mbylljes së Europianit, duke i lënë hapësirë të rinjëve. Ndërkohë ka jo pak gjasa që të njëjtën rrugë ta ndjeki së shpejti edhe Etrit Berisha, që pasi shkoi dy herë në Europian me fanellën e Kombëtares të tërhiqet nga Shqipëria dhe t’i jap mundësi të rinjëve.

Sigurisht që kaq shumë vendime në pak kohë nuk kanë ndodhur më herët te Kombëtarja. Kjo vjen edhe në saj të zgjedhje të forta që po bën Silvinjo me listën e Shqipërisë, duke “detyruar” ndërrimin e brezit. Për një moment, situata te Shqipëria duket si ajo te Gjermania ku lojtarët shpallin tërheqjen nga Kombëtarja përpara kohe dhe teksa vazhdojnë që të luajnë në klubet e tyre, rasti i fundit ishte i Neuer. Ndërsa më herët te Shqipëria ishim mësuar me disa tërheqje dhe rikthime të detyruara pasi nuk kishte lojtarë të tjerë zëvendësues ose për ta thënë më saktë, Kombëtarja lihej vetëm në momentin kur mbyllej e gjithë karriera futbollistike. /Sport Ekspres/