Silvinjo e ka të qartë formacionin kundër Spanjës, Hoxha dhe Broja në stol, Balliu i merr vendin Hysajt

Shqipëria do të përballet në mbrëmjen e së hënës kundër Spanjës. Nëse do të humbasim, ky Europian do të mbarojë më shpejt se u parashikua për shqiptarët. Nuk ka asgjë për t’u shijuar, teksa performanca e ekipeve të mëdha në fazën e grupeve ka qenë aq e dobët sa vendi e parë për golat e shënuar nuk e mban as Mbape dhe as Ronaldo, por autogolat.

Fakti që Shqipëria është në Gjermani, e ka bërë këtë Europian historik për shqiptarët. Në rast barazimi do të prisnim shumë kombinime nga grupet e tjera dhe do të ishte një lojë shumë e rrezikshme, ku me gjasa mund të kthehemi në shtëpi. Ndërsa në rast humbje, Shqipëria mbyll zyrtarisht aventurën e saj në Gjermani.

Spanja do të luajë në këtë takim me ekipin e dytë, por kurrsesi jo Silvinjo, me Kombëtaren tonë që duhet të bëjë të hënën në mbrëmje, ndeshjen e jetës. Te kuqezinjtë do të luten shumë që të kenë edhe fatin me vete pasi në dy ndeshjet e para të këtij Europian ka qenë jo pak vendimtar për ne.

Trajneri i kuqezinjëve e ka të qartë në kokë formacionin me të cilin do të përballet kundër Spanjës. Nëse tifozët prisnin që Arbër Hoxha apo Armando Broja ta fillojë si titullar, me siguri që do të zhgënjehen pasi kjo nuk pritet të ndodh. Sa i përket rreshtimit në mesfushë dhe në sulm, do të jenë të njëjtat zgjedhje si kundër Kroacisë.

Ndryshimet e vetme do të vijnë në mbrojtje, teksa porta me Strakoshën në këtë formë, është më e sigurt se kurrë. Për momentin Strakosha është portieri i dytë me më shumë pritje në këtë Europian pas atij të Gjeorgjisë, Strakosha ka bërë 11 pritje në 2 ndeshje. Kjo nuk tregon vetëm gabimet në mbrojtje, pasi kemi kundërshtarët e klasit të lartë dhe jemi në grupin e vdekjes.

Në mbrojtje do të vijnë shumë ndryshime. Balliu ka shansin e artë për të treguar veten në këtë Europian dhe ka shumë mundësi që të ul Hysajn në stol. Deri tani, Balliu është një lojtar i folur shumë mediatikisht te Shqipëria, por aspak i provuar në fushën e blertë. Gjithmonë ka çaluar në fazën mbrojtëse, kundërshtarët e kanë pasur shumë të lehtë për të hyrë në zonën e tij.

Por deri tani, Balliu ka zhvilluar vetëm një ndeshje që do të mbahet mend te Shqipëria dhe ishte pikërisht ajo në miqësore kundër Spanjës. Në atë takim, Balliu ka zhvilluar ndeshjen më të bukur, ka qenë brilant në të dy fazat, në sulm dhe në mbrojtje. Nisur edhe nga fakti që luan në La Liga, Silvinjo ka shumë mundësi që t’i besojë Balliut.

Ndërkohë në qendër të mbrojtjes ka një balotazh mes Ajetit dhe Ismajlit. Nisur nga gabimet e shpeshta që po bëjmë dhe çoroditjen në pak minuta, ka gjasa që Silvinjo të kthejë Ismajlin në krahë të Gjimshitit, për të fituar sigurinë që kemi pasur në kualifikuese. Por kjo mbetet të shihet pasi këtë herë nuk jemi duke luajtur ndaj rivalëve si Cekia apo Polonia.

Këto janë ndryshimet që SIlvinjo ka gati ndaj Spanjës, me Balliun dhe Ismajlin që pritet të hyjnë në fushë, por mbetet gjithçka të provohet me kohën pasi basti i trajnerit mund të vazhdojë me Ajetin. Megjithatë e rëndësishme është fakti që Silvinjo nuk do të rrezikojë gjithçka për gjithçka që nga minuta e parë me Spanjën duke mbajtur artilerinë e rëndë, Arbër Hoxha dhe Armando Brojan në stol. /Sport Ekspres/