Edhe pak ditë kanë mbetur nga zhvillimi i përballjes së shumëpritur Serbi-Shqipëri. Në prag të kësaj sfide vendimtare për vendin e dytë në grup, opinioni sportiv ka nisur diskutimet mbi zgjedhjet e mundshme të Silvinjos dhe mbi rrjedhën që pritet të ketë ndeshja. Fation Kodra ka hedhur poshtë zërat se trajneri i Kombëtares shqiptare nuk ndryshon. Ai ka thënë për “FSHF TV” se Silvinjo ka sjellë gjithmonë emra të rinj në listë. Zyrtari i FSHF-së ka shtuar gjithashtu se trajneri brazilian vendos sipas rendimentit që lojtarët japin në stërvitje. Kodra e cilëson Silvinjon si një person guximtar, ndërsa nuk e përjashton mundësinë që të shoshim ndryshime përballë Serbisë.
“Ka një koncept në publik, që trajner i nuk ndryshon dhe nuk merr lojtarë të rinj. Në fakt, po ta shikosh listën, gjithmonë ka emra të rinj. Julian Shehu është lojtar i zbuluar nga trajneri Silvinjo dhe tashmë është kthyer në një titullar. Në ndeshjen me Gjibraltarin apo me Letoninë kishte emra të rinj, si Kristian Shpendi. Pra, nuk është e vërtetë që nuk ndryshon. Por në futboll ka një koncept për sa i përket trajningut. Trajneri krijon besim te një grup lojtarësh dhe do të bazohet te grup.
Atmosfera është mjaft e mirë dhe e shoh ekipin të përqendruar thjesht në një ndeshje sportive. I kam parë shumë të qetë. E kam vënë re që rendimenti në stërvitje është shumë i rëndësishëm për zgjedhjet që bën trajneri para çdo ndeshjeje. Ajo që bën trajneri gjithmonë është që të shikojë si sillet një lojtar në seancë stërvitore. Përgjigjet që ai merr në stërvitje janë vendimtare për përzgjedhjet. Nuk do të ishte çudi nëse do të shikonim ndryshime në ndeshjen me Serbinë. E kam vënë re edhe herë të tjera, Silvinjo është trajner që guxon. Nuk ka fare kompleks në këtë pjesë”, ka thënë Fation Kodra./Sport Ekspres/