Mançester Siti dhe PSG-ja janë dy ekipet që kanë pasimin më të saktë në top 5 kampionatet më të forta të Europës. Observatori i Futbollit CIES ka publikuar statistikat e perfomancës për pesë kampionatet më të mira të kontinentit të vjetër. Sa i përket saktësisë në pasim, Mançester Siti dhe PSG-ja japin leksione për mënyrën se si pasohet topi. Të dy klubet kanë një saktësi prej 90.3% në pasime, ndërsa në podium gjendet Reali i Madridit me 90.1% pasime të sakta përgjatë një ndeshjeje.
Befasia është vendi i katërt, i cili mbahet nga Brajtoni, ndërsa pas tij renditet Barcelona dhe Bajerni i Mynihut. Ndërkaq, Serie A përfaqësohet me Monzën. Këta të fundit kanë një 88.5% të pasimeve të sakta. Pas Monzës renditet Interi me 88.4% saktësi në pasime. Në konsideratë janë marrë ndeshjet e luajtura në kampionatet përkatëse për këtë sezon deri në 19 dhjetor. Për marrjen e të dhënave është përdorur Wyscout-i./Halit Delibashi-Sport Ekspres/