Shqipëria ka barazuar në shifrat 0-0 ndaj Serbisë në mbrëmjen e djeshme. Një ndeshje që pritej me interes të lartë nga shqiptarët, por pavarësisht se ishim shumë afër fitores, në fund nuk arritëm dot që të merrnim tre pikët. Por në Serbi është bërë një skandal i madh me trajnerin Stojkovic. Mediat serbe janë duke e sulmuar rëndë këtë trajneri pasi sipas tyre mbrojti dhe mburri shqiptarët, ndërsa sipas mediave serbe mes ekzagjerimeve të mëdha, lojtarëve të tyre iu rrezikua jeta në Tiranë.
Media “Kurir” ishte një prej atyre që e hapi artikullin me fjalët: “Stojkovic, cfarë je duke folur?”. Stojkovic e nisi që në konferencën për shtyp udhëtimin e pazakontë në Shqipëri teksa e hapi konferencën me fjalët shqipe, uroi festën e Bajramit dhe në fund, e mbylli me fjalët në gjuhën shqipe: “Faleminderit shumë”.
Ndërkohë pas ndeshjes dje, kur të gjithë mediat serbe thanë se lojtarëve të tyre iu rrezikua jeta në Tiranë dhe gazetarët serb e pyetën trajnerin e tyre në lidhje me këtë temë, Stojkovic tha: “Atmosfera ishte fantastike. Për gjërat e tjera priteshin. Nuk kam dëgjuar apo parë asgjë, isha i fokusuar në ndeshje, kështu i kam thënë edhe lojtarëve. Atmosfera ishte fantastike, i uroj dhe komplimentoj tifozët e Shqipërisë për këtë, uroj që edhe ne të kemi një atmosferë të tillë”.
Media Kurir vazhdon duke shkruar: “Lojtarët e Serbisë u pështynë, u derdhën ujë mbi ta, u qëlluan dhe u goditën. Ndeshja u ndërpre disa herë, prandaj gjyqtari Davide Massa i kërkoi kapitenit të Shqipërisë, Berat Gjimshiti, të përpiqej të qetësonte tifozët.
Gjatë gjithë ndeshjes, dëgjoheshin brohoritje për “Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) dhe themeluesin e saj, Adem Jasharin, si dhe sharje të neveritshme ndaj nënave, grave, motrave serbe.. Dhe Stojkovic duartroket këta tifozë? Në të njëjtën linjë ishte edhe media tjetër Informer e cila shprehet e befasuar sesi ka mundësi që trajneri i Serbisë të vlerësojnë tifozët e Shqipërisë që kënduan për Kosovën, UCK dhe që shanë të gjithë motrat e Serbisë. /Sport Ekspres/