“Skuadra kishte nevojë për një lojtar si Uzuni”, trajneri pret me elozhe Myrton: Mentaliteti dhe agresiviteti i tij do të na ndihmojnë

Myto Uzuni ka mbërritur në Teksas, ku do të vijojë karrierën e tij në futboll. Sulmuesi shqiptar është pritur me elozhe nga trajneri i Austinit. Niko Estevezi ka thënë për mediat se skuadra kishte ne vojë për një lojtar si Uzuni. Ai shton se të gjithë e njohin lojtarin beratas si një sulmues të mirëfilltë, por u kujton sportdashësve se më parë ka luajtur në rolin e anësorit, ku edhe ka shënuar gola. Ndoshta një sinjal se Uzuni mund të luajë sërish në krahë në MLS.

“Skuadra kishte nevojë për një lojtar si ai pas largimit të Driusit. Myrtua sjell shumë gjëra të mira për klubin. Mentaliteti i tij, agresiviteti i tij, të luajturit me dhe pa top, ai do ta ndihmojë shumë ekipin dhe do të lidhet me tifozët. Njerëzit që e kanë ndjekur Uzunin vitet e fundit do të mendojnë se ai është qendërsulmues. Ai u bë sulmues 3 vite më parë. Ai ishte një sulmues krahu. Atëhërë ai filloi të shënonte më shumë gola. Mendoj se ishte një ndërrim i madh për të. Gjithashtu të jep idenë se ku mund të jetë më i rrezikshëm”, ka deklaruar Niko Estevezi./Sport Ekspres/