Kryeqyteti vishet me ngjyrën e kuqe. Partizani ka mposhtur sot Tiranë me shifrat 2-1. Orges Shehi ishte i pranishëm në “Air Albania”, por këtë herë qendronte në krye të pankinës së Partizanit dhe jo të asaj bardheblu. Tirana e gjeti mjaft shpejt rrugën e rrjetës, teksa Latifi ngriti peshë “Fanatics”-at që në minutën e 7 të takimit. Megjithatë, të kuqtë reaguan dhe brenda pjesës së parë arritën të kthenin rezultatin. Portieri hoti bëri një gabim fatal në minutën e 30 të takimit, kur pengoi Skukën në zonën e rreptësisë. Gjyqtari sinjalizoi për një 11 metërsh, i cili u shndërrua në gol nga Skuka.
Afërsisht 10 minuta më vonë, Tedi Cara depërtoi lehtësisht në mbrojtjen bardheblu, duke vulosur shifrat 2-1.Kjo humbje i vështirëson edhe më shumë pozitat e Tiranës në tabelën e renditjes. Një vend në “final four” vihet në rrezik, pasi pas qendron Dinamo me vetëm 3 pikë më pak, por me dy ndeshje më tepër në dispozicion për të zhvilluar. Pas përfundimit të derbit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Shehi (Partizani): “Ndihem mirë. Gjithë skuadra ndihet mirë, për shkak të rëndësisë që ka kjo ndeshje. Derbi është derbi. Morëm një gol në tranzicion, që mund të ishim vendosur më mirë. Por skuadra tregoi karakter që ka shpirt gare. Kemi qenë agresivë dhe kemi pasur edhe raste të tjera. Në disa raste lojtarët ishin të paqartë. Kishim mundësi që të ndërronim edhe krahun e lojës. Është një interpretim i përgjithshëm i mirë, edhe pse e mira s’ka fund. Ne e dimë që Skuka dhe Mba nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Ne në vetëm ditët e fundit na është bashkuar grupi komplet. Ne nuk jemi me hap kampioni, jemi me një hap normal. Kërkuam të fusim sa më shumë eksperiencë, sepse është e rendësishme në këto ndeshje derbi”/Halit Delibashi-Sport Ekspres/