“Sot është krenare gjithë Shqipëria dhe Kosova”, Manaj nuk mban mëri: I kam harruar të gjitha komentet për penalltinë

Shqipëria shkruan historinë. Kuqezinjtë bëhet Zot në atë që ishte edhe stadiumi më fatsjellës i Serbisë. Rei Manaj shënoi një gol spektakolar në sekondat e fundit të pjesës së parë, duke shtangur vendasit. Dhe sigurisht, nuk mund të mungonte festa me shqiponjë.

Një festë që vazhdoi edhe në fund të ndeshjes, teksa rezultati 0-1 mbeti në fuqi deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit. Tashmë Shqipëria shkon një hap larg ëndrrës Kupa e Botës 2026, duke mbajtur vendin e dytë në grup. Më poshtë mund të lexoni intervistat e lojtarëve për “Super Sport”-in pas përfundimit të ndeshjes.

Manaj: “Penalltia e humbur? Disa komente nuk i meritoja, sepse kam familje. Por janë harruar të gjitha këto. Sot janë krenarë gjithë Shqipëria, gjithë Kosova. E rëndësishme është vazhdojmë të bëjmë realitet këtë ëndërr për Botërorin. Në pjesën e parë mora një goditje dhe isha pak i lodhur në pjesën e dytë. Daku hyri shumë mirë, e meritonte edhe ai të luante nga fillimi sot. Doja të jepja një mesazh më të fortë, por jemi në television. Shijojeni këtë moment, sepse këto momente vijnë vetëm një herë. Pas 11 viteve i rrahëm në shtëpinë e tyre. Kartoni i verdhë? Pasi bëra gol nuk kuptova asgjë. Nuk e dija fare që mora karton. Më thanë çunat që mora karton. Unë bëra shqiponjën dha isha nga pankina, nuk e dija nga ishin tifozët. Shqiponjën nuk do ta bëja në tokë”

Gjimshiti: “Kanë qenë emocione të mëdha përpara ndeshjes. Presioni ishte shumë i madh. Por kam bërë pak eksperiencë në futboll. Ishte një ndeshje e veçantë për mua sot këtu në Leskovc, sepse kështu i themi. Është një vend shumë afër Luginës prej nga jam unë, pranë Tërnocit. Një ditë shumë e lumtur për të gjithë shqiptarët. Ekipi luftoi sot për çdo top, u djersit. Sigurisht që urimi i parë ishte i bashkëshortes dhe i familjes. Kishte shumë mesazhe dhe nuk i kam hapur të gjithë”.

Asllani: “Ishim të karikuar, sepse e dinim që na duhej vetëm fitorja. E morëm dhe jemi shumë të lumtur. Kemi bërë krenarë shqiptarët. Kishim që në 2015 që nuk luanim me Serbinë dhe sot ishte ndeshja që ne e kemi luajtur të gjithë me zemër. Për ne barazimi këtu ishte shumë pak. Kemi folur që para se të vinim këtu”.

Hysaj: “11 vite për ta fituar këtë ndeshje. Është e vërtetë që kemi gabuar dy ndeshje, të cilat po të mos i kishim gabuar, do të kishim festuar edhe më shumë. Gjithë festimi i Manajt dhe i pankinës… Jemi vërtetë një grup. Kemi pasur ato vështirësitë në fund, por ja ku jemi tani. Unë nuk dal kurrë për të parë fushën. Por sot dola për të parë si ishte sot në krahasim me para 11 viteve. U thashë lojtarëve që të mos shihnin se ishte atmosfera më e qetë dhe të mendonim se po luanim si në shtëpi, pasi ishte një ndeshje e vështirë. Rekordi për numrin e ndeshjeve? Krenari. Kam tre fëmijë dhe kur të rritem mund t’ju them se babai juaj e ka emrin të shkruajtur diku emrin në librin e historisë së Kombëtares”.

Uzuni: “Në momentin kur thërritesh në ekipin kombëtar jem gjithçka. Për ekipin kombëtar jam i gatshëm edhe të vdes në fushë. Luaj dhe sakrifikoj për ekipin kombëtar. Nuk dua t’ja di edhe nëse luaj mbrojtës i majtë. Ishte një fitore e madhe. Kanë bërë një punë të madhe të gjithë lojtarët, stafi dhe trajneri. Nuk e dija që do të luaja. Unë isha duke analizuar kundërshtarët, sepse jetoj për futbollin, ia dedikoj gjithë kohën atij. Pres momentin tim. Rëndësi ka që ekipi fitoi. A jemi live?… Botërori do të ishte një ëndërr për mua. Humba europianin dhe të luaj Botërorin në Amerikë do të ishte dhurata më e bukur për mua”.

Shehu: “Emocionet janë të papërshkrueshme. Nuk kam fjalë. Kjo është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Të gjithë lojtarët, i gjithë stafi. I falenderoj të gjithë që na e bënë të mundur këtë ditë. Motivi ishte maksimal sot. E dinim të gjithë që kjo ndeshje ishte jetë a vdekje për ne. Dhamë maksimumin dhe e bëmë të mundur që kjo do të të vinte për të gjithë shqiptarët. Kemi bërë krenarë gjithë shqiptarinë sot”./Sport Ekspres/