Java e 29 e “Abissnet Superiores” u përmbyll me duelin Dinamo-Skënderbeu. Dinamovitët i treguan forcën juglindorëve, të cilët i mposhtën me rezultatin 2-0. Ekipi i Mehmetit gjeti shumë shpejt rrugën e rrjetës. Kur kronometri po numëronte minutën e 3-të, Kaçorri tregoi klas dhe me një parabël e dërgoi topin në rrjetë. Për të mbyllur përfundimisht historinë e këtij takimi mendoi Qefalija.
Ky i fundit dyfishoi rezultatin në minutën e 82-të. Ndeshja përfundoi me shifrat 2-0 në favor të Dinamos, që tashmë shkon në kuotën e 39 pikëve. Blutë e kryeqytetit kanë vetëm një pikë më pak se Skënderbeu i vendit të 4-t, por kanë një ndeshje më tepër në dispozicion për të zhvilluar. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët dhanë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Në tre ndeshje këtu në Durrës nuk kemi fituar asnjë herë. Por nuk është fat. Nuk kemi luajtur mirë. Nuk kemi vrapuar. Ata ishin më agresivë, fituan më shumë topa. Kishin më shumë dëshirë për të fituar. Nuk luajtën vetëm një apo dy lojtarë keq. Sot i gjithë ekipi ishte keq, ishim për turp. Nuk ishim në nivelin e Skënderbeut. Isha shumë i mërzitur për dhuratat që bëmë në pjesën e parë. Ishte një derbi dhe nuk falen këto dhurata. Edhe unë si trajner nuk isha mirë sot, edhe lojtarët nuk ishin mirë. Të gjithë si skuadër ishim në një moment të keq”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/