Shqipëria ka barazuar me shifrat 2-2 ndaj Kroacisë në një ndeshje dramatike falë golave të Lacit dhe Gjasulës, më poshtë gjeni intervisat e protagonistëve në “Klan”:
Hysaj: “Ndeshja sot mund të përfundonte me fitoren tonë, por edhe barazimi nuk ishte keq. Pas gjithçkaje që ndodhi, erdhi edhe përgjigja ime me performancën sot. Unë jam krenar që jam shqiptar, nuk vijmë këtu për të kaluar kohën”.
Silvinjo: “Unë mendoj se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Me gjithë respektin e botës për Kroacinë, komplimente lojtarëve të tyre dhe Dalic për gjithcka kanë bërë, por unë mendoj se sot ishim ne vërtet mirë. Nuk e mbyllëm ndeshjen dot, më pas pësuam dy gola që u bë shumë e vështirë. Pesë minutëshi i fundit do të mbetet në mendjen e të gjithë shqiptarëve. Këtë ndeshje do ta mbajmë mend gjithë jetën. Kemi lojtarë që po përfitojnë shumë eksperiencë nga e gjitha kjo. Ndeshjen e vendos rezultati se po të hynte ai topi i Manajt ndaj Italisë, sot do të ishim këtu duke folur ndryshe. Pësuam dy gola të shpejt prapë? E dini si përmirësohet kjo? Duhet të luash në Europian më shpesh, duke shkuar në Botëror, kështu përmirësohet”.
Asani: “Sot hymë vetëm për fitore në fushë, donim tre pikët. Duhet edhe fati ndonjëherë. Shumë nuk besuan te ne dhe kjo ishte përgjigja. Duhej të kishim fituar, duhej të kishim marrë tre pikët. Jam emocionuar në dy golat, ne do luajmë ndaj Spanjës vetëm për fitore tani”.
Asllani: “Ndeshje me shumë emocione, gjynah që nuk morëm tre pikë. Pësuam disa gola që mund të evitoheshin dhe në fund ne kishim rastin për 3-2. Mund të kishim bërë më shumë, por kjo është rruga. Rasti im? Mendova se Modric do ndërhynte aty, e gjeta topin me sy mbyllur”.
Gjasula: “Deshi Zoti që ma dha shansin për të shënuar golin, bëra disa situata jo mirë, ose aspak fare mirë. 60 minutat e para ishin fantastike për ne, ishim ekipi më i mirë në fushë. Më pas loja na iku nga duart dhe nëse do të ishim pak më qetë, do të fitonim 3-2”.
Qazim Laci: “Sot e meritonim të paktën një pikë, luftuam shumë për këtë pikë. Ky është goli më i rëndësishëm në karrierë, me këtë pikë do të kemi më shumë besim për ndeshjen me Spanjën. Pse jo, të tentojmë vendin e dytë ose të tretë”.