Spektakël në “Santiago Bernabeu”! Gola magjikë në derbin e Madridit, Reali triumfon në ballafaqimin e parë

Madridi vishet i bardhë. Reali ka mposhtur Atletikon e Madridit me rezultatun 2-1 në një ndeshje spektakolare. Ekipi i drejtuar nga Ançeloti gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 4-4. Rodrigua tundi rrjetën me një gol mbresëlënës, duke kapur të papërgatitur të besuarit e Simeones.

Baraspesha u rikthye po gjatë pjesës së parë. Alvarezi shkundi rrjetën me një goditje spektakolare, duke mos i dhënë asnjë shans Kurtuasë për të reaguar. Por Reali nuk u dorëzua. Brahim Diazi bëri një lëvizje mjaft të bukur në zonë, e cila nxorri tërësisht jashtë loje mbrojtësin kundërshtar. Futbollisti e dërgoi topin pas shpinës së Oblakut në minutën e 55 dhe vulosi përfundimisht rezultatin në 2-1. Megjithatë kualifikimi do të vendoset pas një jave në “Vanda Metropolitano”./Sport Ekspres/