“Sqarimin e bëjmë për lojtarët tanë, të mos kenë keqkuptime”! Egnatia tregon sa është paguar për Serxho Ujkën: Nuk janë dhënë 120 mijë euro

Egnatia ka bërë një goditje të madhe në fundin e merkatos së verës. Kampionët e Shqipërisë kanë firmosur me Serxho Ujkën, një lojtar i cili njihet tashmë në Superiore për cilësitë dhe potencialin e tij. Sigurisht që një afrim i tillë e bën ekipin e Egnatias më të fortë dhe konkurrues, ndërsa në media doli lajmi se kartoni i këtij lojtari është blerë për 120 mijë euro. Por është vetë klubi nga Rrogozhina që ka sqaruar situatën duke treguar se për Ujkën nuk janë dhënë më shumë se 50 mijë euro.

“Si gazetar, si zyrtar i Kf Egnatias dëshiroj të bëjë sqarimin e mëposhtëm, duke iu referuar disa lajmeve ditore mediatike mbi transferimin e Serxho Ujkës tke kampionët e Shqipërisë.

Që në krye të herës saktësojmë se nuk bëhet fjalë kurrsesi për shifra të tilla 120 mijë euro. Kartoni i Serxho Ujkës është blerë nga Laçi për jo më shumë se 50 mijë euro. Ftojmë gazetarët të infornmohen nga burimet zyrtare të klubit, para se të keqinformojnë lexuesit e tyre. Vlera e thënë në media është e rreme, shifra të tilla janë tepër të ekzagjëruara.

Kf Egnatia është serioze dhe mjaft e kujdesshme në merkaton hyrëse.

Ju lutemi gazetarëve t’iu referohen burimeve zyrtare.Shuma e shpenzuar nga Egnatia nuk është më shumë se 50 mijë euro. Këtë saktësim e bëj për të sqaruar mbi të gjithë lojtarët e skuadrës sonë, për të mos pasur asnjë keqkuptim dhe ndikim në harmoninë e grupit.

Kërkojmë mirëkuptimin e gazetarëve, i ftojmë të shkruajnë të vërteta, jo të trillojnë shifra stratosferike, që nuk ekzistojnë as në imagjinatën e drejtuesve të Egnatias.

Ne do të jemi të hapur e bashkëpunues në çdo moment për t’i informuar gazetarët e interesuar me fakte të vërteta, ndërsa ftojmë mediat të mos shpikin shifra transferimesh që nuk ekzistojnë, që janë më shumë se dyfishi i realitetit.

Ju faleminderit për mirëkuptimin”, shkruan Xhevdet Zekaj. /Sport Ekspres/