Ramazani është një muaj i shenjtë për myslimanët, gjatë të cilit ata agjërojnë dhe gjithnjë e më shumë po shohim në futboll, në nivelin më të lartë se si disa nga lojtarët e famshëm agjërojnë pavarësisht stërvitjeve dhe ndeshjeve.
Vitet e fundit, në të gjithë Evropën, tashmë është bërë praktikë ndërprerja e ndeshjeve për një kohë të shkurtër që lojtarët të konsumojnë diçka në orarin e lejuar gjatë muajit të shenjtë. Barcelona është përballur me këtë problem edhe këtë sezon sepse njëri nga lojtarët më të mirë të skuadrës, Lamine Yamal, është duke agjëruar gjatë Ramazanit dhe kjo u pa më së miri në seancën e djeshme stërvitore.
Gjatë pushimit, Yamalit iu tha të merrte një shishe ujë dhe të freskohej, por ai refuzoi dhe sqaroi qartë se ishte duke agjëruar. Ishte një surprizë për publikun spanjoll dhe shumë pyesnin se si do të reagonte Barcelona duke qenë se ky është një nga lojtarët më të rëndësishëm të kësaj skuadre.
Megjithatë, siç shkruan TV3 spanjolle në Barcelonë, ata nuk kanë asgjë kundër agjërimit të Yamal dhe i kanë bërë të qartë lojtarit të tyre se e respektojnë vendimin e tij, madje kanë bërë një plan të qartë se si ta ndihmojnë nëse është e nevojshme. Raportohet se vetë Yamal nuk ka kërkuar ndonjë rregull të veçantë në stërvitje gjatë Ramazanit dhe është i sigurt se agjërimi nuk do të ndikojë aspak në performancën e tij në fushë.
Në Barcelonë vendosën të monitorojnë gjendjen e Yamal dhe nëse shfaqet ndonjë problem, janë të gatshëm të zvogëlojnë intensitetin e stërvitjes së tij për të shmangur lodhjen. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/