Etrit Berisha po përjeton “jetën e dytë”! Një tjetër shans i është dhënë portierit shqiptar dhe ai e ka shfrytëzuar atë më së miri. Berisha eleminoi Anderlehtin nga Europa me dy penallti të pritura në 11-metërsh dhe me një tjetër penallti të shënuar.
Te Hacken, të gjithë flasin për Etrit Berishën. Portieri i Kombëtares qëndroi pa ekip për shumë kohë, por në një intervistë për mediat në Suedi, Berisha ka treguar se çfarë ka bërë gjatë kohës që ishte pa ekip.
Stërvitja vazhdonte, madje ishte edhe pak e çuditshme. Në orën 10 të mbrëmjes, në mesin e Stokholmit që ka jetë nate të shfrenuar, Berisha lidhte fort atletet dhe dilte për të vrapuar.
Disa shkëmbenin edhe batuta pasi ishin “ngrohur” pak nga pija dhe pasi një nate e gjatë i priste, ndërsa shihnin dikë si Berisha që vraponte te shkallët duke u ngjitur dhe zbritur për të mbajtur trupin në formë.
“Takoja njerëz që ishin pak të dehur dhe bënin shaka me mua. Kur vrapoja te shkallët dhe zbuluan se isha futbollist, filluan të më pyesnin nëse mbështesja Hammarby apo AIK”, tha Berisha. /Sport Ekspres/