Sulmin lërjani vëllezërve Uldedaj, “Vllaznia” që të siguron golat!  

Për gjithë pjesën tjetër duhet të merreni vetë, për sulmin, lërjani vëllezërve Uldedaj! Është pak e rrallë që të shohësh në futbollin profesionist dy binjakë, dy vëllezër, të cilët të jenë pjesë e një ekipi dhe të dy të luajnë në sulm, njëri në krahun e majtë dhe tjetri në krahun e djathtë. 

“Vllaznia Uldedaj” të garanton frikësimin e mbrojtësave kundërshtarë dhe krijimin e shumë rasteve përpara portës, ndërsa për pjesën tjetër mbrojtëse, duhet të merren të tjerët, sigurisht edhe me ndihmën që duhet të vijë edhe prej Uldedajve. Aktualisht janë pjesë e moshave të Vllaznisë U-19, por nëse mbajnë këtë ritëm, nuk do të jetë vonë dita kur të jenë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë. 

Dhe imagjinoni për një moment sulmin e Vllaznisë A me Uldedajn në njërin krahë të sulmit dhe Uldedajn në tjetrin, dy vëllezër që mund të shpërndajnë lojën në krahe të ndryshme dhe mund ta bëjnë këtë fare lehtë, majtas-djathtas, sy mbyllurazi sepse përpos anës profesioniale dhe leksioneve të marra në Shkodër, binjakët thuhet se kanë një telepati të frikshme, mendojnë dhe veprojnë po njësoj, ndiejnë çdo lëvizje të njëri-tjetrit. 

Shkodra nga ana tjetër thuhet se është djepi i futbollit shqiptar, disa shpeshherë thonë një tjetër qytet që i konkurron denjësisht, por provat e dhëna në gjithë këto vite nga Shkodra kanë treguar, se janë shumë kilometra larg të tjerëve. Por nuk ka vend për xhelozi, për fatin e mirë Shkodra është pjesë e Shqipërisë dhe deri tani të paktën, nuk aspiron të krijojë një përfaqësuese më vete, siç ndodh me shqiptarët që mbajnë 5 Kombëtare dhe 3 përfaqësuese me futbollistë.

Nëse do të ishim të bashkuar, kualifikimi në Botëror nuk do të ishte më një ëndërr, por një dështim i madh nëse nuk do të ndodhte. Ndërkohë ekipet e para duhet t’i japin gjithmonë e më shumë vëmendje talenteve që spikasin nga të rinjtë, sidomos te Vllaznia, ka kaq shumë brenda shtëpisë, aq sa shpesh u ikin nga duart pasi nuk mund t’i kontrollojnë dot të gjithë. Dy vëllezërit Uldedaj, dy binjakët Uldedaj, për momentin janë një histori e izoluar në Shqipëri dhe në grupmosha që nuk tërheqin shumë vëmendje, por një ditë, mund të jetë një histori ndërkombëtare, gjithçka luhet në këmbët e tyre. Një Vllazni për të ndihmuar Vllazninë, jo keq… /Sport Ekspres/